E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu i dhunës

Aktet e dhunshme në veri të Kosovës ndaj transmetuesve të kompanive kosovare të telefonisë janë vepra penale dhe pa mëdyshje ato duhet të sanksionohen, thonë përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë.

Zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës rrezikojnë ta eskalojnë situatën dhe ta prishin edhe më tutje qetësinë e brishtë, e cila ka mbretëruar në këtë hapësirë, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës. Këto vlerësime vijnë dy ditë pas sulmit në Gazivodë të Zubin Potokut ndaj transmetuesit të kompanisë mobile Ipko, i cili, siç ka njoftuar Policia e Kosovës, ishte rasti i pestë i asgjësimit dhe dëmtimit të instalimeve publike dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Policia e Kosovës, këto sulme i ka cilësuar si vepra kriminale.

Rangjell Nojkiq, njëri prej liderëve të serbëve të Kosovës, thotë se aktet e tilla, që kanë ndodhur në veri, janë të papranueshme, pavarësisht se ato kanë qenë, siç thotë ai, të provokuara nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit të Kosovës, i cili ka eliminuar operatorët serbë të telefonisë në Kosovën qendrore.

Ai i konsideron si akte kriminale hedhjet në erë me eksploziv të antenave të Ipko-s dhe Vala-s në veri të Kosovës, por si të tilla i quan edhe veprimet e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.

“Të gjitha këto janë akte shumë të rrezikshme, të cilat mund të nxisin edhe destabilizim më të gjerë. Më duket se ky edhe është qëllimi dhe dëshira e tyre, që me aksione të tilla, të cilat kanë për qëllim t’i bllokojnë liritë e serbëve, të provokojnë destabilizim të gjerë dhe në fund t’i akuzojnë serbët”, deklaron Ivanoviq. Ndërkaq, Nojkiq thotë se duhet gjetur mënyra që zhvillimeve, siç i quan ai, negative, t’iu ndërpritet hovi. Në të kundërtën, sipas tij, gjendja mund të përkeqësohet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›