Rokadë në policinë e Tiranës, vijnë drejtues të rinj

Seksioni i Antikrimit të Organizuar dhe i Antikrimit Ekonomik, kanë njohur drejtuesit e rinj, pasi vendet ishin vakante prej kohësh
Tirane- Dy seksione të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kanë njohur dje emrat e rinj që do të jenë drejtues të tyre, ndërsa pjesa tjetër e strukturave të hetimit në komisariate, pritet të njihen me drejtuesit e strukturave të reja që janë krijuar pas shkrirjes së strukturave të mëparshme. Lajmi u bë i ditur dje për "Shekullin", nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës të cilët pohuan se drejtuesit e rinj të prezantuar, kanë nisur punën prej ditësh, ndërsa pritet të prezantohen në detyrat e sapomarra të hënën e javës së ardhshme. Të njëjtat burime thanë për "Shekullin", se dy sektorët që kanë emrat e drejtuesve të rinj janë, sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar, që përfshin hetimin e Krimit Ekonomik, Kontrabandën e Korrupsionin si dhe Pastrimin e Parave. Në krye të këtij sektori është emëruar komisar Bedri Gjoni, i cili deri përpara emërimit të tij në krye të strukturës së Antikrimit Ekonomik, ka drejtuar zyrën e Hetimit të Pastrimit të Parave, strukturë në varësi të sektorit, ku ai është emëruar.
Pavarësisht se për drejtimin e kësaj strukture nevojitet grada kryekomisar, Gjoni mban një më poshtë, atë të komisarit që në fakt nuk e plotëson kushtin e gradës për të marrë drejtimin e një sektori, si ai i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar. Në këtë detyrë, ai zëvendësoi një funksionar tjetër, që në fakt plotësonte kushtin e gradës, por që është emëruar në detyrë paralele në Sektorin e hetimit të Krimit të Organizuar. Gjatë drejtimit të këtij sektori prej këtij të fundit, Antikrimi Ekonomik njohu disa arritje interesante që kishin të bënin me goditje të ndryshme në drejtim të kontrabandës dhe në drejtim të falsifikimit të dokumenteve, si dhe të falsifikimit dhe hedhjes në treg të kartmonedhave të falsifikuara, si euro ashtu edhe lekë shqiptare. Në të kundërt, njeriu që zëvendësoi atë, ka njohur një numër të vogël referimesh në drejtim të hetimit të pastrimit të parave të dërguara në Prokurori, për një periudhë dy vjeçare që ai drejtoi zyrën e Hetimit të Pastrimit të Parave dhe Pastrimit të produkteve të Krimit.Kështu në krye të hetimit të Krimit Organizuar, është emëruar kryekomisar Lorenc Meta, duke zëvendësuar në këtë detyrë Edmond Halën, i komanduar në këtë detyrë duke kryer njëkohësisht edhe funksionin e drejtuesit të antidrogës.
Ndërkaq, këto ndryshime, mbërrijnë në kohën kur policia e kryeqytetit, po i nënshtrohet një ristrukturimi total, duke shkrirë disa seksione në komisariate dhe duke i bashkuar në një strukturë të vetme. Në këtë mënyrë, strukturat e hetimit të krimeve kundër pronës dhe ato të parandalimit të krimit, do të shkrihen në një të vetme, duke zgjeruar edhe spektrin e veprave penale që ato do të hetojnë së bashku. Në strukturën e re pritet të mbeten në komisariate hetimi i krimeve të tilla si vjedhjet dhe krimet kundër pronës, që kanë të bëjnë me vjedhjen e pasurisë pa përdorimin e armëve të zjarrit apo llojeve të tjera. Po kështu edhe krimet e lehta kundër personit, si dhe konfliktet do të vazhdojnë të ndiqen dhe hetohen nga komisariatet. Krimet e tjera do të hetohen nga seksionet e posaçme pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut. Ndryshimi i strukturës u kërkua për shkak se e mëparshmja nuk po jepte rezultat, pavarësisht se në fillim frytet e saj qenë të lakmueshme.