Atentati, plagoset me dy plumba ish- polici

Arben Bilali, 41 vjeç, banues në Selitë, u qëllua në një lokal pranë stadiumit "Selman Stërmasi"
TIRANE- Atentat ish- policit në kryeqytet, plagoset me dy plumba në gjoks dhe në bark dhe dërgohet në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak. Arben Bilali, 42 vjeç, banues në Selitë, mbeti i plagosur rëndë dje në mbrëmje rreth orës 21:30, në rrugën "Emin Duraku" në krahun verior të stadiumit "Selman Stërmasi", nga persona të panjohur, ku ai u qëllua dy herë me një armë zjarri pistoletë. Ngjarja ndodhi, kur i dëmtuari ishte në kafe me një mikun e tij, ndërsa u qëllua nga afër, nga një pistoletë e kalibrit 9 mm. I dëmtuari u dërgua menjëherë në spitalin ushtarak në kryeqytet për t'i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa sipas burimeve, gjendja e tij paraqitej e rëndë. I dëmtuari sipas burimeve të policisë, kishte marrë një plagë në bark dhe në gjoks nga të shtënat e një personi të panjohur që kishte qëlluar me shpejtësi dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Dyshimet e policisë, në lidhje me të janë se ajo mund të ketë qenë pasojë e ndonjë konflikti të mbartur nga ditët e shkuara ose nga paraditja e djeshme. Hetimet e para të policisë flasin për një ngjarje me motive banale, por ende nuk ka informacione të sakta mbi konfliktin e mundshmë që mund të ketë pasur viktima me persona të ndryshëm. Hetuesit kanë shoqëruar në ambientet e tyre, mikun e të plagosurit me të cilin ishte ai duke pirë kafe në momentin e ngjarjes. Po kështu në lidhje me atentatin ndaj Bilalit, policia ka shoqëruar edhe disa dëshmitarë të tjerë të cilët mendohet se kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën "Emin Duraku". Në vendin e ngjarjes ekspertët gjatë këqyrjes, kanë vënë re dhe kanë administruar veç kampioneve të gjakut që mendohet se i përkasin Bilalit edhe dy gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm, dhe që mendohet se i përkasin një arme "Zastava". Burimet e policisë thonë se predhat e këtyre gëzhojave mund të jenë ende në trupin e të plagosurit i cili gjatë mbrëmjes së djeshme i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale për t'i shpëtuar jetën. Pavarësisht përpjekjes së mjekëve gjendja e ish- policit Bilali mësohet se është e rëndë. Në lidhje me hetimet, veç dëshmitarëve të ndryshëm, policia ka shoqëruar edhe një grup personash për të gjetur elementë të nevojshëm për hetimin e ngjarjes.