E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohet nga adoleshentja, tenton ta përdhunojë

DURRËS/ Argerart Lusha u arrestua pasi dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një 17-vjeçare

Mësohet se 19-vjeçari ka hyrë në banesën e vajzës nga dritarja e banjës, ndërsa britmat e saj e kanë larguar

DURRËS - Policia e Durrësit ka arrestuar një 19-vjeçari dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një 17-vjeçare. Arrestimi është bërë në orët e para të ditës së shtunë, ndërkohë që i riu ishte larguar nga banesa e tij pasi gjatë tentativës ishte zbuluar dhe e dinte që po ndiqej nga policia.
Ngjarja
19-vjeçari Argerart Lusha i lindur në Kavajë kishte disa kohë që me familjen e tij ishte stabilizuar me banim në lagjen nr 13 të Durrësit, lagje që i përket sektorit të Plazhit. Këtu, sipas dëshmive që ka mbledhur policia, ai kishte njohur një vajzë 17-vjeçare të cilën kishte filluar ta ngacmonte, por kjo e fundit e kishte refuzuar. Duke qenë se vajza banonte në katin e parë të një banese në plazh, ai e ka pikasur në një periudhë kohe që ajo kishte mbetur vetëm në shtëpinë e vet. Duke e parë situatën në favor dyshohet se djali ka menduar që të hyjë në banesë e të realizojë synimin që kishte ndaj 17-vjeçares. Sipas policëve që kanë realizuar arrestimin e tij më pas, ai ka shkuar pa u ndier në orët e para të ditës dhe pasi ka hapur dritaren e banesës, ka hyrë brenda në të. Vajza, e cila në ato momente po bënte punët rutinë të shtëpisë, kur e ka parë është trembur. Hyrja në banesë e 19-vjeçarit ka shkaktuar një tronditje të madhe tek ajo e si rrjedhojë adoleshentja ka ulëritur me të madhe dhe kjo gjë ka alarmuar edhe fqinjët, të cilët kanë vrapuar për të parë se çfarë kishte ndodhur. Pas kësaj dyshohet se dhunuesi është larguar me vrap nga banesa ku ishte futur fshehurazi. Në banesë kanë mbërritur edhe prindërit e vajzës, të cilët kanë bërë edhe denoncimin përkatës ndaj tentativës së djaloshit. Ata kanë dhënë dëshmi rreth të riut që kishte synuar të kryente marrëdhënie seksuale me vajzën e tyre, ndërkohë që 17-vjeçarja ka treguar emrin e tij.
Policia
Policia e Durrësit ka bërë të ditur se më datë 1 maj, rreth orës 02:00 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Argerart Lusha, 19 vjeç, banor i lagjes 13 Durrës. Policia thekson se "arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se me datë 30.04.2010, rreth orës 10:00, pasi ka hyrë nga dritarja e banjës në banesën e një shtetaseje 17-vjeçare, banuese në plazh, ka tentuar të përdhunojë këtë të fundit". Policia ka deklaruar se pasi janë kryer veprimet proceduriale lidhur me këtë ngjarje, materialet për veprën penale të "marrëdhenieve seksuale me dhunë me të mitur të moshes 14-18 vjeç e mbetur në fazën e tentativës" iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›