E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkyçje për borxhlinjtë

Për shkak të borxheve të shumta, kompania ujësjellësi rajonal “Prishtina”, duke filluar nga data 15 maj do të fillojë me shkyçjen e konsumatorëve nga rrjeti. Zyrtarë të kësaj kompanie kanë thënë se që prej pas lufte obligimet e konsumatorëve ndaj ujësjellësit rajonal kapin shifrat prej 35 milionë euro.

Sipas zëdhënëses Arjeta Mjeku, kompania ka zhvilluar takime me grupe punuese të administratës dhe të terrenit, në mënyrë që nga data 15 maj të fillojë me shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit. “Nuk do të përjashtohet asnjë konsumator. Shkyçjet deri tash i kemi ndërmarrë vetëm në kryeqytet, kurse tash do të bëjmë shkyçje kolektive dhe individuale edhe në komunat tjera që menaxhohen nga Ujësjellësi i Prishtinës”, ka thënë Mjeku.

Aksioni për shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj nga rrjeti i ujësjellësit do të bëhet pos Prishtinës, edhe në komunat e Fushë Kosovës, Drenasit, Kastriotit, Besianës, Shtimes, Lipjanit dhe Graçanicës, në të cilin janë angazhuar mbi 10 ekipe të shkyçjes. Evitimi i shkyçjeve mund të bëhet vetëm nëse konsumatorët do të paguajnë më shumë se 50 për qind të borxhit të përgjithshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›