E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentatori i Papës këkon “perandori të re amerikane”

Njeriu i cili u përpoq të vriste Papa Gjon Palin II bëri thirrje për “një perandori të re amerikane”, e cila do të angazhohej për paqe dhe demokraci, në kumtesën e cila u publikua sot nga avokatët e tij, para lirimit të tij nga burgu javën e ardhshme.

Mehmet Ali Agca ka vuajtur dënimin më 19 vjet burg në Itali, për shkak të atentatit kundër Papës në vitin 1981, para se të mëshirohej me kërkesën e Papës në vitin 2000, e më pas ai u ekstradua në Turqi, për të vuajtur dënimin për disa krime, të cilat i kishte kryer në vendlindjen e tij.

“Bota ka nevojë për një perandori të re të Amerikës, e cila duhet të vendoset në qendër dhe e cila duhet të jetë kryesuese e demokracisë, paqes dhe lirisë ndërkombëtare”, shkroi Agca.

Ai me këtë rast dënoi edhe terrorizmin, e në veçanti edhe udhëheqësin e Al Qaidës, Osama Bin Ladenin.

Mbeten ende enigmatike motivet e atentatit të Agcas kundër Papa Gjon Palit II, të ndërmarrë në sheshin e Shën Petrit.

Para lirimit të tij të paraparë, më 18 janar, Agca ka theksuar se gjatë javëve në vijim do t’i përgjigjet pyetjeve në lidhje me atentatin kundër Papës, përfshirë këtu edhe pyetjeve se a kanë qenë të përfshirë në këtë atentat edhe qeveria e Bullgarisë dhe Kremlini, u theksua në kumtesën e tij.

Që nga ekstradimi i tij në Turqi, Agca ka vuajtur dënimin në një burg në Stamboll, për shkak të vrasjes së gazetarit Abdi Ipekci në vitin 1979.

“Terrorizmi është një e keqe e djallit. Të gjitha religjionet e ndalojnë dhe e dënojnë terrorizmin. Al Qaida është një organizatë psikopate, kriminale naziste”, theksoi Agca, i cili Bin Ladenin e krahasoi me Adolf Hitlerin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›