E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani akuzon Obamën për “terrorizëm shtetëror”

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larijani, i cili ka shërbyer edhe si kryenegociator bërthamor i Iranit, ka akuzuar për “terrorizëm shtetëror” presidentin amerikan, Barack Obama, pas vrasjes së një shkencëtari udhëheqës bërthamor në Iran.

Në fjalimin e tij mjaft të ashpër, të mbajtur para deputetëve të parlamentit të Iranit, të dominuar nga konservatorët, Larijani përsëriti akuzat e Teheranit se CIA dhe Mossadit qëndrojnë prapa vrasjes së shkencëtarit, i cili humbi jetën të martën, si pasojë e një shpërthimi para shtëpisë së tij.

“Është lehtë të ndërmerren aksione të këtilla, por ky aventurizëm nuk është aspak i mirë. Ju në praktikë keni promovuar një akt të terrorizmit”, tha Larijani, duke ju referuar Obamës.

“Kjo ngjarje e errët do të regjistrohet në dosjen e krimeve të SHBA-së kundër popullit iranian”, shtoi ai.

Massoud Ali Mohammadi, profesor i fizikës në Universitetin e Teheranit, u vra pas shpërthimit të një bombe, të vendosur në një motoçikletë, të parkuar para shtëpisë së tij në Teheran.

As policia, e as shërbimet iraniane të inteligjencës nuk kanë ofruar ende detaje për vrasjen e Mohammadit, për të cilën Larijani fajësoi CIA-n dhe Mossadin.

“Ne disa ditë para atentatit kemi siguruar informata të qarta se shërbimet e inteligjencës së regjimit sionist, në bashkëpunim me CIA-n, po synojnë të ndërmarrin akte terroriste në Teheran”, tha Larijani.

“Agjencitë izraelite dhe amerikane me gjasë kanë menduar se, duke pasur parasysh disa probleme të caktuara të brendshme, ekziston mundësia për të ndërmarrë këtë aksion dhe se mund të shkaktojnë përçarje mes akademikëve dhe se mund të dëmtojnë punën hulumtuese bërthamore të vendit”, shtoi ai.

Akuzat e zyrtarëve iranianë për përfshirjen e SHBA-së në këtë vrasje u hodhën menjëherë poshtë nga zyrtarët amerikanë.

“Akuzat për përfshirjen e SHBA-së janë absurde”, theksoi zëdhënësi i State Departamentit amerikan, Mark Toner.

Megjithatë, emri i Mohammadit ishte në listën e njerëzve, të cilët kanë mbështetur udhëheqësin e opozitës në Iran, Mir Mousavin, në zgjedhjet e kontestuara presidenciale më 12 qershor, në të cilat presidenti aktual i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, siguroi mandatin e dytë në funksion.

Opozita është ankuar se vota është manipuluar në mënyrë masive në favor të Ahmadinejadit.

Vrasja e Mohammadit ndodhi në momentin e grindjes së ashpër mes Iranit dhe fuqive botërore në lidhje me programin kundërthënës bërthamor të Teheranit, për të cilin Perëndimi dyshon se shërben si mbulesë për prodhimin e armëve bërthamore.

Larijani gjithashtu kritikoi Obamën se “është mbështetur me nguti në një grup të monarkistëve, i cili nuk ka kredibilitet për të mbuluar një operacion të tillë”.

“është ky një turp i ri për Obamën. Duket se ju jeni të ngazëllyer nga kumtesa e këtij grupi. Si ka mundur të ndodhë që të shndërroni vendin tuaj në një strofull për terroristët?”, tha Larijani.

Larijani aludoi në grupin e quajtur Takavaran Tondar, i cili në një faqe në internet mori përsipër përgjegjësinë për sulmin me bombë në Teheran.

Por sipas një faqe të opozitës iraniane në internet, ky grup më vonë ka mohuar përgjegjësinë dhe ka akuzuar agjentët iranian të inteligjencës për komplot.

Zyrtarët në Teheran në vazhdimësi kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin se po synojnë të nxisin trazira në Iran. Këto dy vende nuk e kanë përjashtuar asnjëherë mundësinë e sulmeve ushtarake, për të frenuar programin bërthamor të Iranit.

“Jeni për keqardhje Zoti Obama. Pas gjithë atyre deklaratave për ndryshim të politikës dhe për humanizëm, e tëra që ka mbetur sot janë luftënxitja dhe aktet e terrorizmit”, tha Larijani.

Ai insistoi se vrasja e Mohammadit nuk do të ketë ndikim në programin bërthamor të Iranit.

“Tani synojnë të eliminojnë shkencëtarët bërthamorë. Do të shihni se këto akte terroriste nuk do të arrijnë asgjë dhe se Irani do të mbrojë suksesin e vet bërthamor”, nënvizoi Larijani.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›