Aterrojnë turqit
Me ardhjen e koncesionarit turk në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë ardhur edhe xhygymat e çajit. Pronari i ri ka sjellë pijen tradicionale të vendit të tyre, e cila preferohet mjaft edhe nga shqiptarët.
Përveç kësaj, koncesionari ka filluar modernizimin dhe ndërtimin e aeroportit. Me të hyrë në korridorin e administratës në aeroport dëgjohet zhurmë dhe ngado pluhur nga punimet që kanë filluar të bëhen nëpër objektet ekzistuese. Punëtorët tani presin akomodimin e tyre nëpër zyre, të cilat pritet shumë shpejt të jenë të gatshme për punë. Punëtorët e secilit departament do t’i akomodojë nëpër zyre të veçanta.
Ndërsa nga fundi i muajit prill pritet të fillojë edhe ndërtimi i terminalit të ri prej 25 mijë metra katrorë, ndërtimi i kullës dhe i parkingut.
Konsorciumi Limak & Aeroport de Lyon Mas ka vendosur edhe se kush do të menaxhojë ANP’në gjatë kësaj kohe. Ai është Ferda Yakar, ish-drejtori gjeneral i aeroportit të Antalias, me një eksperiencë 20 vjeçare në menaxhimin e aeroporteve.
Ardhja e koncesionarit të ri nuk ka sjellë asnjë ndryshim për punëtorët. Ata thonë se po trajtohen mirë dhe nuk ka ndonjë ndryshim nga menaxhmenti i mëhershëm.
Ilir Halili, punëtor në administratën e ANP’së, tha për Express se punët për renovimin e objekteve ekzistuese do t’u sjellin atyre kushte më komode.
“Ndryshim me ardhjen e koncesionarit kemi vërejtur vetëm tani kur kanë filluar punimet në renovimin e zyrave. Sepse ne po trajtohemi shumë mirë nga turku”, thotë Halili.
Ai beson se të gjitha pikat e kontratës së nënshkruar me pronarin e ri do të respektohen në përpikëri. E pasagjerët e aeroportit thonë se ende nuk kanë vërejtur ndonjë ndryshim të shërbimeve.
Sipas tyre, ende është herët për këtë gjë. Burim Shabani, pasagjer i rregullt i aeroportit, thotë se me ardhjen e koncesionarit presin përmirësime në të gjitha shërbimet. Por deri më tani nuk kanë vërejtur ndonjë ndryshim.”Tani me ardhjen e koncesionarit ne presim ndryshime të cilat do të sjellin shërbime më të shpejta e kjo presim që të ndodhë në muajt e ardhshëm, sepse tani ende është herët”, tha Shabani. Por, zyrtarë të aeroportit thonë se gjatë kësaj periudhe të këtij viti po vërehen ndryshime si në rritjen e numrit të fluturimeve, ashtu edhe në atë të udhëtarëve.
Altin Ahmeti, zyrtar për informim në ANP ”Adem Jashari”, tha për gazetën se në tremujorin e parë të këtij, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje të numrit të udhëtarëve dhe të fluturimeve.“Gjatë kësaj periudhe të këtij viti numri i udhëtarëve ka shënuar rritje prej 5 për qind, e numri i fluturimeve 11.62 për qind, në krahasim me vitin e kaluar”, tha Ahmeti.
Ai shton se ky numër pritet të rritet edhe më shumë prej muajit qershor. E ky konsorcium kishte fituar kontratën më 12 gusht të vitit të kaluar, pasi që i kishte ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39,42 për qind të të ardhurave bruto në këmbim me të drejtën për koncesion. Prej Limak De Lion është kërkuar që të bëjë investime për të modernizuar dhe zgjeruar Aeroportin e Prishtinës, duke investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturë të re, ku përfshin edhe ndërtimin e një terminali të ri.
Drejtori i ri
Konsorciumi Limak & Aeroport de Lyon ka zgjedhur drejtorin e Aeroportit të Antalias, kryeqytetit turk të turizmit, për të menaxhuar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pas dhënies së këtij të fundit me koncesion për 20 vitet e ardhshme në fillim të muajit prill. Emërimi i drejtorit gjeneral të Antalias, Ferda Yakar, me eksperiencë 20-vjeçare në menaxhimin e aeroporteve, do t’i japë një impuls dhe zhvillim të ri Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", konform planeve të konsorciumit Limak & Aeroport De Lyon MAS, thuhet në një komunikatë shtypi të ANP’së.“Me realizimin e këtyre investimeve, objektivat tona janë që numri i udhëtarëve që do të shërbehen në ANP Adem Jashari brenda 20 vitesh të arrijë dhe kalojë shifrën prej 4 milionë udhëtarësh”, tha Ferda Yakar.