Gjashtë n’kajmak
Gjashtë zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë rënë në prangat e policisë. Ata janë arrestuar si të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe policia, ndërkohë që Express disa ditë më parë ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave pritet të ndodhin disa arrestime të zyrtarëve të kësaj komune.
Pavarësisht se kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, duke iu paraprirë arrestimeve javën që shkoi, veprimet e policisë i quajti të ngjashme me ato të ish shërbimit të fshehtë të Serbisë-UDB’së, Njësiti për Krime Ekonomike të martën pasdite i arrestoi të gjashtë zyrtarët. Nga burime të sigurta, Express ka mësuar emrat dhe pozitat që mbajnë të arrestuarit gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në Komunën e Prishtinës. Kështu, prangat iu janë vënë Ridvan Shahinit, drejtor për Infrastrukturë Lokale, Qazim Bajramit, kryetar i Organit Mbikëqyrës, pastaj anëtarëve të këtij organi Refik Sadikut, Hazir Krasniqit e Halil Fejziut si dhe Ekrem Rexhës, shef i Prokurimit në Komunë.
Burime të mirinformuara të gazetës sqarojnë se arrestimi i këtyre gjashtë zyrtarëve të lartë të komunës në kryeqytet është bërë nën dyshimin e derdhjes së 800 mijë eurove në konton e një kompanie, pa filluar punimet për rregullimin e lumit në Lagjen Kalabria të Prishtinës.
“Tashmë disa nga të arrestuarit dyshohen për keqpërdorimin e parasë publike në vlerë prej 800 mijë eurosh”, thonë burimet.
Përveç kësaj, të arrestuarit dyshohen edhe për disa vepra të tjera. “Ata janë hetuar dhe dyshohen për keqpërdorimin e detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së banesave nga Komuna e Prishtinës, për zyrtarët e vet komunalë në vitin 2009”, tregojnë burimet për Express.
Lidhur me arrestimet, rreth orës 19 të së martës ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës. Sipas tyre, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, të martën, në përfundim të orarit të rregullt të punës, ka dorëzuar një shkresë në Komunën e Prishtinës, nëpërmjet të cilës udhëheqja komunale njoftohet për arrestimin e gjashtë zyrtarëve të saj nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “shpërdorim të pozitës zyrtare ose i autorizimit”. Nëpërmjet një komunikate, zyrtarë komunalë thonë se edhe më herët janë deklaruar publikisht lidhur me hetimet që janë duke u zhvilluar ndaj zyrtarëve të Komunës, e që kanë të bëjnë më një pagesë kompanisë, e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e kolektorit në Lagjen Kalabria. Por, ata i qëndrojnë edhe më tej pretendimit se në këtë rast, gjithçka është kryer ashtu si duhet.
“Lidhur me këtë pagesë nga Komuna e Prishtinës, janë përfillur të gjitha procedurat e parapara ligjore. Pagesa është ekzekutuar pas kërkesë së kompanisë, konstatimit të punëve të kryera nga organi mbikëqyrës dhe ofrimit të garanacit bankar nga kompania”, sqaron Komuna nëpërmjet komunikatës. Më tej shpjegohet se, bazuar në dokumentet që posedon Komuna e Prishtinës lidhur me këtë rast, konstatohet se nuk ka shkelje procedurale dhe ligjore dhe nuk është dëmtuar buxheti i Komunës.
“Zyrtarët e Komunës tashmë kanë angazhuar avokatët e tyre, të cilët do t’i mbrojnë gjatë këtij procesi. Komuna e Prishtinës pret nga organet e drejtësisë që sa më parë të zbardhë të vërtetën lidhur me këtë rast”, thuhet në komunikatë.
Por, Policia e Kosovës mendon ndryshe në lidhje me këtë rast. Nw njw njoftim të policisë thuhet se arrestimi i gjashtë zyrtarëve komunalë është bërë me dyshimin për keqpërdorime në Komunën e Prishtinës, lidhur me një tender i cili ka pasur të bëjë me mbulimin e lumit “Prishtevka”.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe mbledhjes se fakteve lidhur me kryerjen e veprës penale të cekur më lartë, dyshohet se vlera e keqpërdorur arrin shumën prej qindra mijëra euro”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit Publik të Qarkut, Policia ka thënë se të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë. Pavarësisht kësaj, Isa Mustafa, kryetar i Pristinës dhe i LDK-së, ka deklaruar se ai nuk e ka krahasuar tërë Policinë e Kosovës me UDB-në, por vetëm segmente të caktuara të saj. Duke folur para se të bëheshin arrestimet, në një intervistë për radion publike në vend, Mustafa ka deklaruar se bastisjet e policisë në Komunë i konsideron veprime politike dhe shantazhe, të cilat po bëhen ndaj komunës që drejton.
“E kam thënë edhe në media, sepse, nuk dëshiroj që elemente të shtetit policor të na lajmërohen tek ne”, është shprehur Mustafa. Kjo është hera e parë që gjashtë zyrtarë të Komunës së Prishtinës arrestohen si të dyshuar për një keqpërdorim të tillë.
Të arrestuarit
Ridvan Shahini 1943
Refik Sadiku 1960
Qazim Bajrami 1966
Hazir Krasniqi 1965
Halil Fejziu 1964
Ekrem Rexha 1960