E presin me muzikë
Pasditen e së mërkurës (sot), Blerim Kuqi do t’i thotë lamtumirë dhomës së burgut në Prizren, ku ka qëndruar për 30 ditë. Ai në këtë ditë e përfundon dënimin e tij prej një muaji që iu dha më 4 prill nga një kolegj gjyqtarësh të EULEX-it.
I bindur për lirimin e tij shprehet edhe avokati Ramë Gashi. Ky avokat tha për Express se klienti i tij duhet të lirohet sepse mbajtja e mëtutjeshme në burg do të ishte e kundërligjshme.
“Sipas Kodit të Procedurës Penale, ky dënim është maksimal në rastin e tij si dëshmitar. Andaj unë pres që kryetari i Suharekës do të lirohet në momentin që i skadon afati i dënimit”, tha Gashi. Ndërkohë që kryetari Kuqi pritet ta kalojë edhe natën e fundit në burg, në Suharekë kanë filluar përgatitjet për ardhjen e tij. Të martën mbrëmje, në dy anët e qytetit janë ndezur flakadanë që do të qëndrojnë të ndezur deri në mëngjes. Kjo, sipas organizatorëve, simbolizon rrugën që ka kaluar kryetari i tyre. “Flakadanët simbolizojnë pishtarin e lirisë e ai është kryetari”, tha Korab Elshani, njëri nga organizatorët. Të mërkurën gjatë ditës, në qendër të qytetit do të mbahet një koncert artistik, ku pritet të marrin pjesë këngëtarë të shquar të estradës.
Elshani pret që të gjithë qytetarët e Suharekës të dalin në shesh për ta pritur kryetarin e tyre. Prej kohës sa është burgosur kryetari Kuqi, në Suharekë janë mbajtur një varg aktivitetesh në përkrahje të tij. Se sa e duan suharekasit kryetarin e tyre është dëshmuar edhe me fushata dhe spote të ndryshme. I gëzuar se do t’i vijë shefi shprehet edhe nënkryetari Refki Bytyqi. Ai është i sigurt se Kuqi do të vijë në Suharekë të mërkurën.
“Qysh nuk lirohet. I ka paguar krejt dënimet, edhe pse është arrestuar pa nevojë”, tha Bytyqi për Express. Blerim Kuqi është arrestuar më 4 prill nga Policia e EULEX-it dhe po atë ditë është dënuar me 30 ditë burg. Më herët ai ishte dënuar me nga 250 euro sepse kishte refuzuar të bashkëpunonte me organet e hetuesisë të EULEX-it. Në arsyetimin e aktvendimit për urdhër të burgimit prej tridhjetë ditësh të nënshkruar nga gjyqtari Ferdinado Buatier de Mongeot, thuhet se kjo masë është shqiptuar për shkak të mosbashkëpunimit të dëshmitarit me organet e hetuesisë.
Pasi sqarohen nenet e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës mbi të cilat është mbështetur ky aktvendim, gjyqtari jep edhe kronologjinë e rastit si dhe kërkon që i arrestuari të mbahet gjithnjë i ndarë nga të pandehurit e tjerë, që janë të përfshirë në këtë procedurë. Pa u përmendur emrat e personave të tjerë, sipas këtij dokumenti, del se pas refuzimit dy herë të dhënies së dëshmisë, në tetor të vitit të kaluar, në dhjetor gjyqtari e ka gjobitur Kuçin me 250 euro. Pas kësaj, më 14 dhjetor të vitit të kaluar, Kuçi është njoftuar edhe një herë për pasojat që duhet të bartë në rast se ai nuk bashkëpunon me drejtësinë.
Neni 167
Në nenin 167 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës specifikohen dënimet e parapara për dëshmitarin, i cili refuzon të japë dëshmi.
1. Kur dëshmitari, i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e
arsyeton, ose pa leje dhe shkak të arsyeshëm largohet nga vendi ku duhet të pyetet, atëherë mund të detyrohet të paraqitet dhe mund të dënohet me gjobë deri 250 euro.
2. Nëse dëshmitari paraqitet kur është thirrur, por pasi të jetë bërë me dije për pasojat refuzon të dëshmojë pa arsyetim ligjor, mund të dënohet me gjobë deri në 250 euro. Kur edhe pas kësaj refuzon të dëshmojë, atëherë mund të burgoset. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por më së shumti një muaj.