Thaçi në interpelancë për bisedimet
Kryeministri Hashim Thaçi do të përballet të enjten me pyetjet e deputetëve për procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi.
Kryesia e Kuvendit ka miratuar të martën kërkesën e Vetëvendosjes për të ftuar kreun e ekzekutivit në interpelancë.
Siç ka njoftuar Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë, Kuvendi do të mbajë seancë edhe të premten, më 6 maj.
Sipas tij, në këtë seancë do të debatohet lidhur me gjendjen e sigurisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, sipas kërkesës së deputetit, Nait Hasani, e mbështetur edhe nga deputetë të tjerë.
Po ashtu, në këtë seancë pritet ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare mes Qeverisë dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare: Marrëveshja për financim dhe grante ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore, e 11 marsit 2011; Marrëveshja në mes Qeverisë dhe UNCTAD (Agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara për projektin softueri ASYCUDA); Marrëveshja për financimin e projektit për regjistrimin e pasurisë së patundshme dhe kadastër në mes Qeverisë dhe Shoqatës ndërkombëtare për zhvillim dhe Marrëveshja në mes Qeverisë dhe KfW- Frankfurt am Main dhe Kompanisë së Ujësjellësit rajonal-Prishtina, Marrëveshja bilaterale ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Dukës të Madh të Luksemburgut dhe Marrëveshja për financimin e projektit për modernizimin e sektorit publik në mes Qeverisë dhe Shoqatës ndërkombëtare për zhvillim. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të miratohen me dy të tretat e votave të deputetëve.