E Diel, 1 Nëntor 2026

Athanas, Skënderbeu i parë i operës

 

"Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti", titullohet libri kushtuar një prej tenorëve të njohur shqiptarë, Xhoni Athanas, shkruar nga Anxhelo Xhaçka. Dje gjatë prezantimit në Teatrin e Operës dhe Baletit, erdhën kujtime, fotografi e filmime nga jeta artistike tenorit dramatik. Pas studimeve në konservatorin "Çajkovski", ai kthehet në Shqipëri, ku kristalizon një personalitet të veçantë skenik. Ndërtoi personazhe si ai i Dodës te "Mrika", i Sazanit te "Pranvera", i Dhimitrit te "Lulja e Kujtimit", kuestorin e "Heroinës" apo Bash Murgjinin e "Boranës", për të vijuar me Shonarin, djaloshin aristokrat Edvini, Don Bazilion, Manrikon, Borsën, Otellon e shumë e shumë të tjerë. Por, i fiksuar në kujtesën e të gjithëve është "Skënderbeu" i Prenk Jakovës, rol i cili e ngriti tenorin dramatik në piedestalin e arritjeve të tij artistike. Gjatë viteve të karrierës së tij, u ngjit në skena të ndryshme si në Jugosllavi, Rumani, Bullgari, Hungari, Rusi, Ukrainë, Kirgistan, Uzbekistan, Taxhikistan, Turkmenistan, Bjellorusi, Lituani, Letoni, Estoni, Kinë, Mongoli, Vietnam etj. E nisi fillimisht me një këngë kineze kur bënte pjesë në Ansamblin e Ushtrisë, por më pas do të këndonte në rreth 15 gjuhë të huaja. Pas viteve 90'-të, tenori Athanas, bashkë me familjen, udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara. Shumë shpejt u bë i njohur jo vetëm brenda komunitetit shqiptar, por edhe atij rus, grek, italian dhe hebre të Masaçusetsit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›