Shembet shtëpia e dytë, 6 të tjera gati në të rënë
POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI
Banesat në fshatin Pevelan në Pogradec po rrafshohen njëra pas tjetrës. Dje u shemb shtëpia e dytë, ndërsa janë në rrezik edhe 6 të tjera. Shembja aktive e dherave ka bërë që drejtuesit vendorë të urdhërojnë evakuimin e banorëve. Dhjetëra banorë tashmë kanë mbetur pa strehë. Të afërmit e tyre iu kanë afruar strehimin e përkohshëm, ndërkohë që nuk ka asnjë të dhënë se si do të veprohet për të pastrehët. Shtëpia e parë u shemb mëngjesin e së hënës. Duke u gdhirë dita e djeshme, një tjetër banesë në Pevelan, komuna Trebinjë u rrafshua. Për fat të mirë, në asnjërën prej ngjarjeve nuk u shënuan viktima apo të lënduar. Banorët e kishin ndier rrezikun dhe janë evakuuar pak orë para se shtëpitë e tyre të shembeshin. Në fakt, paralajmërimi është dhënë që në muajin janar. Kryetari i komunës, Gjergji Buzo, kishte vënë në dijeni Prefekturën dhe Këshillin e Qarkut të Korçës. "Situata e krijuar në këtë fshat është rrjedhojë e fillimit të rrëshqitjes së dheut që në muajin janar të këtij viti, por organet e pushtetit vendor në Pogradec e Korçë kanë heshtur dhe nuk kanë marrë asnjë masë për të shmangur rrezikimin e jetës së banorëve të Pevelanit", bëri të ditur ai. Sipas Buzos, me kërkesë të tij është realizuar studimi gjeologjik për këtë zonë. Në akt-ekspertizën e kryer që më 26 janar, u konkludua se rrëshqitja është masive dhe aktive, me përmasa 130 X 80 metra nën rrugën automobilistike. Sipas ekspertizës, 8 shtëpi ishin në rrezik serioz. Pas kësaj, banorëve iu kërkua që të evakuoheshin. Ata që kishin mundësi financiare u larguan. Të tjerët, mes tyre edhe 8 familjet më të rrezikuara pritën që strehimi t'iu garantohej nga shteti. Ndërsa ditët kalonin dhe askush nuk u kujtua për rrezikun që atyre iu kanosej, rrëshqitja avancoi. Fshati Pevelan është i vendosur në pjerrësinë e një shpati me kënd 35 - 40 gradë. Përbërja e masivit që rrëshqet është heterogjene dhe me formacion të shkrifët. Sipas specialistëve, kjo zonë e shkrifët u tejngop me ujë, ndërsa është favorizuar edhe nga zhveshja prej drurëve. Përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në Prefekturën e Korçës, Dhori Çekrezi, ishte dje në vendin e ngjarjes, ndërsa prefektja Elfrida Zefi dhe kryetari i Këshillit të Qarkut nuk kanë bërë asnjë koment në lidhje me këtë katastrofë natyrore. Nënprefekti i Pogradecit, Niko Dudo zhvilloi dje një takim urgjent dhe urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të banorëve, gjë të cilën komuna e kishte realizuar më parë. Sipas kryetarit të komunës, Gjergji Buzo "janë larguar nga shtëpitë gjashtë familje. Ata janë strehuar në banesat e tjera të fshatit apo te të afërmit e tyre, që janë larg zonës që po rrëshqet". E para u rrëzua banesa e Sevri Spahiut. Katër anëtarët e familjes u strehuan te vëllai i tij, Myslim Spahiu. Por ky i fundit dje është evakuuar me urdhër të komunës, duke mbetur të dyja familjet në qiell të hapur.