E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darka e gabuar, që "hëngri" të ftuarit

 

Alma Mile

Më shumë se një darkë, të krijohet përshtypja e një beteje. Mes dritave të qirinjve të kuq, dikush thith një cigare, një tjetër sheh vëngër shokun në krah, dikujt i janë gërryer faqet, ndërsa dy duar kanë nisur të thërrmohen. Ata janë dhjetë. Janë të ftuarit e "darkës së gabuar", që nuk kanë janë ulur rreth tavolinë për të ngrënë, por për t'u ngrënë. Olsa Foto duket një vajzë e druajtur. Sapo e sheh të jepet ideja e studentes së zellshme, që kalon shumë kohë mbi libra. E vërteta është që me mendjen e saj krijuese dhe duart e shkathëta, Olsa, kërkon të zotërojë çdo material e objekt që i del përpara. Kështu ka krijuar edhe personazhe të "Darkës së gabuar", instalacionit, që u paraqit mbrëmë në ambientet e Universitetit "Polis". I ka krijuar me brumë. Janë portrete të realizuara në kuzhinë e të pjekur në furrë, si bukë. Pasi ka eksperimentuar me shumë materiale, që nga plastelina e fëmijërisë, tek balta, kartoni, bojërat, etj., Olsa përveshi mëngët dhe provoi brumin. Miell, ujë e kripë. Por këtë herë, jo për të bërë bukë në magje, por për të realizuar një portret të dashur. "Kanë kaluar dy vjet qysh atëherë, kur krijova një portret brumi për babain tim. Ishte një moment i veçantë", - thotë ajo, ndërsa nuk e kishte menduar që ky gjest dashurie për të atin, apo ky trill fantazie, të dilte tej mureve të shtëpisë saj. "U habita, kur pashë një gjë të tillë dhe mendova, pse jo ta zgjerojmë e ta ekspozojmë. Por ndoshta nuk do të ishte edhe aq tërheqëse, nëse do t'i ekspozonim në radhë njëri pas tjetrit, ndaj menduam të krijojmë një situatë", - thotë kuratori i këtij instalacioni, artisti Gëzim Qendro. E kështu nisën të marrin formë dhjetë personazhet e ftuar. Ka gra e burra. Ca të pjekur e ca të djegur. Ndonjë me vetulla të ngrysura, një tjetër me syze, një madje prej tipareve duket se mund të jetë edhe afro-amerikan. Buzë të trasha, flokë të dredhura. Këtë të fundit Olsa është kujdesur ta djegë ca në furrë, për t'i dhënë ngjyrën e zezë. Krijuesja thotë se disa janë portrete të njerëzve të njohur për të, të tjerët janë bashkime tiparesh, që kanë nxjerrë në pah personazhe të rinj. Vajza, që më parë me brumë kishte bërë vetëm biskota, thotë se ishte një proces interesant, në vetvete frymëzues. E pasi lista e të ftuarve ishte gati, u vendosën në kontekstin e një darke. "Është e vërtetë që titullin e ka marrë nga romani i shkrimtarit Ismail Kadare, por ideja që duam të japim është që çdo njëri prej nesh ka një darkë të gabuar në jetën e vet. Një moment, apo një situatë, ku edhe pse mendonte se do të ishte fitues, del i humbur", - thotë Qendro. Dhe në të vërtetë, ashtu si personazhet e romanit të Kadaresë, që u bënë viktima të darkës misterioze të shtruar në shtëpinë e tyre, edhe personazhet e darkës që u shtrua mbrëmë tek "Polis" patën pak a shumë të njëjtin fat. Ndërsa Olsa shpreson në një tjetër pritshmëri. "Nuk e mendoj artin si profesionin tim, por duke qenë se është brenda meje, them se do të ndikojë në të ardhmen time si arkitekte",- thotë ajo. Kjo është edhe shpresa e pedagogut të saj, Gëzim Qendro. "Nuk mund të mos theksojmë faktin që në shkollën tonë punohet shumë për zhvillimin e anës artistike tek studentët dhe jo vetëm të asaj teknike. Është koha për të thyer ca korniza dhe për të ecur paralelisht me vendet e tjera të botës, ku një arkitekt është po aq i njohur sa edhe një artist i madh",- thotë ai, ndërsa shpreson që kjo të duket në punën e arkitektëve të rinj, në të kundërt, rezultati i pritshëm përqaset me pamjen e Tiranës sot.

Në hapat e parë

Olsa Foto është studente në vitin e parë të Arkitekturës në Universitetin "Polis". Ish-gjimnaziste e "Sami Frashërit", ka provuar të krijojë me materiale të ndryshme dhe mediume të ndryshme, fotografi, pikturë, instalacion. Ka marrë pjesë në një ekspozitë fotografike të hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe ka realizuar skenografitë e disa aktiviteteve kulturore, gjatë viteve të shkollës.

Nën dritën e qirinjve

Në dhomën, ku pritet të shtrohet darka, të përcjell një korridor i ngushtë, i ndriçuar nga qirinj. Pasi kalon një perde të zezë, të shfaqet "skena" e përgatitur. Një tavolinë e gjatë, e shtruar me mbulesa të bardha. Fytyra të brumta të vendosura nga të dyja anët, të ndriçuara nga shandanë të kuq qirinjsh. Përreth janë portretet e personazheve në fotografi të mëdha të vendosura në korniza me xham. Përreth perde, të kuqe, të zeza, kostume prej letre të bardhë, varëse rrobash të zeza, të shpërndara gjithandej. Dhe në qendër një video ku shfaqet krijuesja, ndërsa realizon krijesat e veta me brumë. Në sfond një pjesë muzikore nga krijimtaria e Monteverdit. Gjithçka të jep përshtypjen e një darke, që nuk ka shkuar edhe aq mirë, për të ftuarit. Kjo është "darka e gabuar" që rastis në jetën e çdokujt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›