E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një opera për Revolucionin Francez

 

Muaji prill sjell në skenën operistike, operën me katër akte,  "André Chénier". Një vepër jo edhe aq popullore në skenën shqiptare, me muzikë të Umberto Giordano, libret të Luigi Illica. Skenografia mban firmën e Alfredo Troisit, ndërsa të regjisë Antonio Petres. Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe baletit do të drejtohet nga Edmond Doko, ndërsa kori nga dirigjenti Dritan Lumshi. Në rolet kryesore interpretojnë Gianluca Zampieri, Ymer Kaca, Armaldo Kllogjeri, Irini Nikolla, Etleva Golemi, etj. Subjekti i muzikuar nga kompozitorit Giordano merr shtysë nga vitet e fundit të jetës së André Chénier, poet francez, vargjet e të cilit frymëzoheshin nga poezia klasike, që gjatë periudhës së Terrorit, u ekzekutua në gijotinë, sepse denoncoi me guxim shfrenimet e Revolucionit, megjithëse ndante të njëjtat parime dhe ideale. Kjo operë konsiderohet nga kritika si një afresk i madh muzikor i një periudhe historike, asaj të Revolucionit Francez. Karakter sanguin, temperament i gjallë, por edhe stërhollime dhe plot rafinime muzikore e bëjnë "Andrea Chénier themel të verizmit, i pëlqyer dhe i duartrokitur në mënyrë unanime nga publiku. Gjithë opera rrotullohet mbi gjendjen shpirtërore dhe sjelljen e protagonistit kryesor. Tek Carlo Gérard spektatori "lexon" tronditjen e një shpirti të drejtë e të ndershëm, të errësuar nga dëshira për hakmarrje, i detyruar nga vetë kushtet e rënda që të jetë "i pamëshirshëm", meqenëse kërkon të arrijë qëllimet e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›