E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezervuari, 200 familje e kalojnë natën jashtë

 

KAVAJE - Fshatarët e Spaneshit dhe të Sharrë-Dushkut e kanë kaluar natën jashtë shtëpive të tyre. Duke iu druajtur faktit se mund të kapeshin në befasi nga një shpërthim i dytë i ujit, asnjë banor nuk ka qëndruar në shtëpitë që ndodhen në rrezen e rezervuarit. Shirat e rrëmbyeshëm të këtyre orëve risjellin alarmin në rezervuarin e komunës së Kryevidhit. Mbi 1 milion metra kub ujë ndodhet e depozituar në basen, ndërkohë që diga mbajtëse është e krisur. Sipas burimeve lokale, shembja e pjesshme e argjinaturës pasditen e së martës, solli shpërthimin e ujit mbi fshatrat që ndodhen poshtë. Si rrjedhojë e të çarës, uji doli me furi në formën e një ujëvare. Pas matjeve më të fundit u mësua se niveli i ujit në rezervuarin e Kryevidhit ka rënë me 60 centimetra, pak orë pas shembjes së argjinaturës. Në rezervuarin e Kavajës do të ndërhyjë me urgjencë ushtria, për të krijuar një strukturë mbrojtëse në formë ure. Vetëm 24 orë pas shpërthimit të ujit, në fshatrat e Kavajës, të kërcënuara seriozisht nga rezervuari, gjendja mbetet e rëndë. Enver Masha, sekretar i përgjithshëm i prefekturës së Kavajës, raporton se situata është nën kontroll të vazhdueshëm, por për arsye sigurie edhe të mërkurën do të bëhet evakuimi i banorëve në zona më të sigurta. Distanca mjaft e afërt e rezervuarit me dy fshatrat e komunës Kryevidh e bën atë tejet të rrezikshme. Në rrezen e rezervuarit ndodhen 200 shtëpi dhe këto janë momente akthi për banorët që jetojnë vetëm falë bujqësisë dhe emigracionit. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›