E Diel, 1 Nëntor 2026

Athina drejt kolapsit:Sa do të preken emigrantët dhe ekonomia shqiptare

“Euro po fundoset mes kolapsit të Greqisë”; “Greqia, nën tutelën e FMN-së”; “Kolapsi grek, frika evropiane” janë vetëm disa nga titujt kryesorë të gazetave më të mëdha botërore, që po trajtojnë ditët e fundit me intensitet krizën ekonomike greke që mund të kalojë tashmë edhe në vende të tjera të Evropës. Eurozona dhe në përgjithësi Bashkimi Evropian janë vendosur në pozitë të vështirë nga “fëmija çapkën” që prej vitesh fshihte të dhënat reale dhe që arriti në nivelin rekord të deficitit buxhetor me 12.7 për qind, që në raste të tjera nuk do t’i lejonte as anëtarësimin në BE.
Greqia ka sot financat publike më të rënduara në mbarë Evropën dhe një shpresë të pasigurt e të kushtëzuar nga plani ambicioz, por vështirë i realizueshëm i prezantuar nga qeveria “Papandreu” për uljen e deficitit buxhetor. Kriza, që tashmë është vendosur nën mbikëqyrjen e BE-së, Bankës Qendrore Evropiane e për herë të parë edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, po sjell pasojat në shumë vende të Evropës.
Shqipëria pritet të jetë një vend fort i prekur, nëse kriza në Greqi do të përhapet më tej. Statistikat e INSTAT-it kanë treguar se gjatë muajve të fundit eksportet dhe importet me Greqinë kanë pësuar ulje, për shkak të recesionit të thellë e të vazhdueshëm të ekonomisë greke, ndërkohë që për specialistët janë një sërë fushash ku vendi ynë do të preket. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në raport me Greqinë, eksportet janë ulur me 9 për qind, ndërsa edhe importet janë ulur në masë të ndjeshme.
Edhe pse përgjatë 12 viteve të fundit, Shqipëria ka pasur një prirje pozitive zhvillimi me rritje të vazhdueshme ekonomike, kriza ekonomike botërore e tashmë pjella e saj, kriza e nisur nga Greqia, duket se po ndikojnë në ekonominë shqiptare.
Pjesa e parë që do të preket nga kriza greke në vendin tonë, do të jenë pikërisht investimet e huaja. “Humbja e besimit që është shkaktuar nga komuniteti ndërkombëtar në Greqi, cenimi i sovranitetit ekonomik dhe financiar të Greqisë, pa dyshim që do të tronditë edhe investitorët e huaj drejt Greqisë dhe ata grekë drejt Shqipërisë”, - parashikon ish-ministri i Financave, aktualisht rektor në Universitetin Mesdhetar Shqiptar, prof. dr. Anastas Angjeli.
I të njëjtit mendim është edhe këshilltari pranë Bankës Qendrore Evropiane, dr. Arjan Kadareja, i cili vë në duke se Greqia përfaqëson investuesin më të madh të kapitalit të huaj në Shqipëri. “Në mos gaboj rreth 50 – 60% e stokut të krijuar nga investimet e huaja direkte e ka origjinën nga Greqia. Ndër sektorët më të rëndësishëm janë telekomunikacioni dhe bankat. Përkeqësimi i situatës ekonomike në Greqi do të zvogëlonte ose shtynte planet për investime të ardhshme në Shqipëri ose në rastin më të keq do t’i anulonte ato”, - thekson dr. Kadareja.
Por ajo që do të prekë më shumë vendin tonë, pritet të jetë ulja drastike e të ardhurave që dërgojnë emigrantët në Shqipëri. “Një ndikim i mundshëm në ekonominë shqiptare mendoj se mund të jetë zvogëlimi i sasisë së remitancave që emigracioni ekonomik shqiptar sjell në Shqipëri si pasojë e një rritjeje të mundshme të papunësisë dhe kostos së jetesës në Greqi në këto 2-3 vite të një rigoroziteti buxhetor ekstrem”, - mendon anëtari i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, njëherazi rektor në Universitetin Evropian të Tiranës, prof. dr. Adrian Civici.
Për prof. Anastas Angjelin, “kjo është një zile alarmi që Shqipëria duhet të mbledhë mendjen që nuk do të ketë të ardhura nga emigracioni siç ka pasur dhe duhet të ristrukturohet ekonomia shqiptare e të mos bazohet më në shpresën e të ardhurave nga emigracioni”.
Pasojat e tjera të krizës në Greqi pritet të ndihen në sektorin e tregtisë, e sidomos në fasoneri, e cila është tërësisht e varur nga tregtia e jashtme, ku Greqia luan një rol të rëndësishëm. Për më tepër, sistemi bankar i ndërlidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku një sërë bankash në Shqipëri kanë si aksionerë banka greke, mund të luajë rol në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
E megjithatë, edhe pse Shqipëria mund të preket nga kriza greke, kjo e fundit është e paparashikueshme. Një përhapje e saj e madhe do të mund të sillte efektin domino, që i trembet tashmë Bashkimi Evropian, sipas gazetës “The Guardian”, e për këtë arsye ajo i dha një mbështetje të fortë politike Greqisë në luftën për të mbajtur frenat e ekonomisë në dorë.
Edhe pse Greqia është në fazat e një kolapsi publik me borxhe marramendëse, deficit publik të madh, protestat sociale që e përshkallëzojnë pasigurinë dhe mosbesim në të ardhmen, masat që ajo do të ndërmarrë nën mbikëqyrjen e një prej institucioneve më konservatore si FMN-ja dhe nën sytë mosbesues të BE-së, mund ta kthejnë situatën në normalitet, brenda pak viteve.
Për më tepër, Shqipëria arriti t’i bënte ballë krizës ekonomike botërore, duke mundur të qëndrojë në vlera pozitive të rritjes ekonomike, çka tani mund të shihet si një faktor plus për t’i bërë ballë edhe kolapsit të Athinës.

Kriza greke dhe ndikimet në ekonominë shqiptare

Prof. dr. Adrian Civici*

Në këto momente duket se Greqia është vendi i prekur më rëndë jo vetëm nga kriza financiare, por mbi të gjitha edhe nga një menaxhim shumë i keq i financave publike. Greqia rezulton gjithashtu edhe si një vend që nuk e ka pasur fare nën kontroll situatën financiare si pasojë e defekteve të mëdha në sistemin e saj të statistikave dhe të të dhënave. Deficiti buxhetor ka arritur në shifrat negative rekord prej 12.7% nga maksimumi 3% që lejojnë kriteret e Manstrichtit. Borxhi publik i Greqisë e kalon shifrën e 300 miliardë eurove. Bankat kryesore greke si rreziku financiar grek është shumë më i madh se thjesht një problem i brendshëm grek.
Bashkimi Evropian dhe veçanërisht të gjitha vendet e Eurozonës ndihen të shqetësuar për pasojat që mund të ketë në dobësimin e euros kjo krizë, por gjithashtu edhe në pasoja direkte, d.m.th, provokimin e krizave financiare edhe në vende të tjera evropiane, si Spanja, Portugalia, Irlanda etj. Komisioni Evropian, megjithëse jo pa vështirësi miratoi para dy ditësh një plan shpëtimi ekonomik për Athinën, e shoqëroi këtë me një “vendosje të Greqisë nën një vrojtim special” mujor nga ana e tij. Objektivi kryesor është rikthimi i deficitit buxhetor në shifrat 3% në fund të vitit 2012.
Edhe qeveria greke ka shpallur një plan të jashtëzakonshëm masash e reformash për stabilizimin e situatës financiare dhe ekuilibrimin e financave publike, plan që natyrshëm ka shkaktuar dhe një valë të jashtëzakonshme protestash e revoltash si nga punonjësit e sektorit publik, të cilët pritet të jenë “viktima” kryesore e masave drastike, ashtu dhe nga sindikata të ndryshme në vend. Ky reagim i përgjithshëm popullor në këtë kohë mjaft të vështirë natyrisht që e ndërlikon akoma më shumë punën për qeverinë “Papandreu”, aq më tepër që ajo është angazhuar që ta zgjidhë “me forcat e saj” krizën, pra duke mos pasur angazhim direkt financiar nga ana e Bankës Qendrore Evropiane dhe Komisioni Evropian. Edhe ideja e një “kërkese për ndihmë tek FMN-ja si mbikëqyrësja kryesore e financave në botë” nuk u pranua nga vendet evropiane, të cilat mendojnë se kjo është e pamundur ose siç u shpreh një drejtues i lartë i Bankës Qendrore Evropiane, “kjo do të ishte sikur Kalifornia t’i bënte thirrje për ndihmë FMN-së”, përpara se t’ia kërkonte këtë qeverisë amerikane.
Megjithatë, elementi më i rëndësishëm në gjithë këtë situatë problematike e të rrezikshme financiare jo vetëm për Greqinë, por edhe për euron, Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, është fakti se ministrat evropianë të Financave të zonës euro konfirmuan qartë dhe hapur se ata “përjashtojnë çdo hipotezë për një falimentim financiar të Greqisë... se ky skenar as që duhet të mendohet”. Mendoj se ky është edhe thelbi i asaj se si duhet ta trajtojmë edhe ne në Shqipëri krizën greke dhe pasojat e saj mbi ekonominë shqiptare.
Është e vërtetë se bankat kryesore dhe më të mëdha greke janë në vështirësi serioze, pasojë e të cilave është dhe një vlerësim “me nota më të ulëta” që iu bë atyre nga institucione ndërkombëtare të specializuara vlerësimi. Por, po t’u referohemi analizave të revistave apo gazetave të specializuara financiare e bankare, efekti kryesor jashtë Greqisë i kësaj situate të bankave greke duket se do të jetë një reduktim i kredisë që këto banka kanë dhënë në vende si Bullgaria, Rumania, Shqipëria etj. Në mënyrë të veçantë, vlerësohet se pasojat më të mëdha pritet t’i ketë Bullgaria, vend në të cilin kreditë vjetore të bankave greke vlerësohet se kanë arritur shumën e 1 miliard eurove. Në rastin e Shqipërisë, mendoj se nuk duhet të ketë vend për trembje apo panik në lidhje me performancën dhe situatën financiare të këtyre bankave, për faktin se bankat greke që janë të pranishme në Shqipëri, janë “banka bija” të “bankave mëmë” dhe funksionojnë si banka të veçanta të pavarura në mënyrë direkte apo të plotë nga qendra. Përveç kësaj, këtu duhen përmendur edhe dy elemente të tjera që favorizojnë një situatë aspak panikuese në lidhje me këto banka. Së pari, treguesit financiarë të deritashëm të këtyre bankave janë pozitive; dhe së dyti, këto banka janë vazhdimisht nën një sistem supervizioni me kritere cilësore nga Banka e Shqipërisë, gjë që është një garanci më shumë për nivelin e performancës së tyre.
Një ndikim i mundshëm në ekonominë shqiptare mendoj se mund të jetë zvogëlimi i sasisë së remitancave që emigracioni ekonomik shqiptar sjell në Shqipëri si pasojë e një rritjeje të mundshme të papunësisë dhe kostos së jetesës në Greqi në këto 2-3 vite të një rigoroziteti buxhetor ekstrem; mund të ketë sektori i industrisë me fason, sepse një pjesë dërrmuese e kompanive të pranishme në tregun shqiptar janë greke dhe natyrisht që kriza pritet t’i prekë direkt apo indirekt; dhe së fundi, eksportet shqiptare drejt Greqisë pritet të kenë vështirësi si pasojë e kontraktimit të kërkesës së brendshme dhe përgjithësisht të gjithë ekonomisë greke në vitet e ardhshme.
* Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe rektor i Universitetit Evropian të Tiranës

Banka e Shqipërisë dhe qeveria ta konsiderojnë mirë krizën greke

Prof. dr. Anastas Angjeli*

Greqia tashmë është përfshirë nga një krizë e thellë ekonomike dhe financiare, e cila siç arriti në përfundim edhe samiti i liderëve të BE-së, është një krizë e rëndë që kërkon përgjegjësi të përbashkëta për një stabilitet ekonomik e fiskal jo vetëm të Greqisë, por edhe të Eurozonës. Kjo krizë është shfaqur dukshëm tani në ekonomi, financa dhe shoqërinë greke, përmes një deficiti buxhetor që ka arritur në 12.7 për qind, tri herë më shumë se norma e caktuar nga Traktati i Mastrihtit dhe rregullorja e vendeve anëtare të BE-së dhe eurozonës; nga një borxh publik që tashmë është ndërmjet 113 dhe 120 për qind; nga eksportet dhe importet në rënie gjatë vitit 2009 dhe gjatë vitit 2010; nga një rritje e papunësisë që i ka kaluar 10 për qind; tregues këta që po e çojnë gjithnjë në vështirësi të mëtejshme këtë ekonomi.
Qeveria “Papandreu” ka miratuar një plan zhvillimi dhe stabilizimi trevjeçar shumë ambicioz, për të cilin ka edhe një mbështetje të opinionit publik dhe të BE-së. BE ka vendosur që nëpërmjet Komisionit, BQE-së dhe FMN-së ta mbikëqyrë realizimin e këtij programi. Pa dyshim që kriza ekonomike, financiare dhe sociale në Greqi, përveç pasojave që ka në ekonominë dhe tek qytetarët grekë, nuk mund të mos ketë edhe ndikimin e vet në ekonominë e vendit tonë, për shkak se Greqia është një ndër dy partnerët kryesorë, pas Italisë, në marrëdhëniet e shkëmbimit ekonomik dhe tregtar dhe në investimet e huaja.
Fakti që në ekonominë greke në krizë, eksport-importet kanë pësuar një ulje të dukshme, do të thotë se edhe ndikimi në marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë, e përderisa ne jemi importues të mallrave nga Greqia do të ketë një ndikim të fortë.
Duke qenë se një pjesë e madhe e të ardhurave nga emigracioni në Shqipëri vijnë nga Greqia dhe duke pasur gjithashtu se në vitin 2009 në krahasim me 2008 këto të ardhura ranë me 35 për qind, për vitin 2010 kjo rënie mund të arrijë në 50 për qind.
Kjo është një zile alarmi që Shqipëria duhet të mbledhë mendjen që nuk do të ketë të ardhura nga emigracioni siç ka pasur dhe duhet të ristrukturohet ekonomia shqiptare e të mos bazohet më në shpresën e të ardhurave nga emigracioni.
Së treti, humbja e besimit që është shkaktuar nga komuniteti ndërkombëtar në Greqi, cenimi i sovranitetit ekonomik dhe financiar të Greqisë, pa dyshim që do të tronditi edhe investitorët e huaj drejt Greqisë dhe ata grekë drejt Shqipërisë. Së katërti, në këtë kuadër, veçanërisht në sistemin bankar shqiptar, që ka “banka bija” greke me “mëmat” e tyre në Greqi dhe për shkak të likuiditetit në valutat e huaja, në euro në të dyja tregjet financiare, megjithëse ende nuk ka shenja të forta, duhet të kemi kujdes për të minimizuar efektet e kësaj krize edhe në sistemin bankar.
Më në fund, pavarësisht nga rënia e të ardhurave shqiptare nga emigracioni, një pjesë e familjeve shqiptare ende mbahen nga të ardhurat nga emigracioni, nuk do të kenë më këtë luks dhe si pasojë kriza ekonomike në Greqi do të transferohet edhe në një pjesë të familjeve dhe konsumatorëve shqiptarë.
Parë në këtë këndvështrim, në përgjithësi kriza ekonomike, financiare dhe sociale, që ka mbërthyer Greqinë, konsiderohet një pjesë e rëndësishme e ndikimit të krizës globale në ekonominë shqiptare, prandaj është mirë që institucionet shtetërore që merren me ekonominë, financat dhe politikën monetare, ta konsiderojnë më mirë këtë ndikim.
* Rektor i Universitetit Mesdhetar i Shqipërisë, ish-ministër i Financave

Problemi kryesor, investimet

Dr. Arjan Kadareja*

Ekonomia greke duket se është në një fazë shumë të vështirë mbijetese tashmë me financat publike drejt rrënimit, çka ka reflektuar edhe në ekonominë reale të vendit fqinj, si edhe në sistemin financiar. Cilat janë pasojat që kjo krizë sjell në Shqipëri në aspektin e marrëdhënieve tregtare, duke marrë parasysh edhe rënien e importeve dhe eksporteve me Greqinë?
Në Greqi shkojnë rreth 20% e eksporteve shqiptare. Rënia e kërkesës nga Greqia sigurisht do të sillte probleme jo të vogla në këtë drejtim. Por unë nuk mendoj se tregtia e mallrave do të ishte problemi më i rëndësishëm. Problemi kryesor qëndron me investimet e huaja direkte. Greqia deri para një viti përfaqësonte investuesin kryesor të kapitalit të huaj në Shqipëri. Në mos gaboj, rreth 50 – 60% e stokut të krijuar nga investimet e huaja direkte e ka origjinën nga Greqia. Ndër sektorët më të rëndësishëm janë telekomunikacioni dhe bankat. Përkeqësimi i situatës ekonomike në Greqi do të zvogëlonte ose shtynte planet për investime të ardhshme në Shqipëri ose në rastin më të keq do t’i anulonte ato. Investimet e huaja direkte janë vitale për ekonominë tonë sidomos për sa i përket punësimit, financimit të deficiteve të llogarisë korrente dhe kursit të këmbimit lek - euro, konkurrueshmërisë dhe eksporteve etj.

Një tjetër aspekt i krizës ka të bëjë me emigrantët shqiptarë në Greqi. Në situatën ku ndodhet vendi fqinj, sa të prekur do të jenë ata nga niveli gjithnjë e në rritje i papunësisë dhe çfarë pasojash do të sjellë kjo në Shqipëri, si në aspektin e remitancave, ashtu edhe në lëvizje të reja demografike të emigrantëve shqiptarë (kryesisht jofamiljarë) që jetojnë në Greqi drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian ose në një rikthim të mundshëm në atdhe?
Kriza në Greqi, duke qenë krizë borxhi dhe deficitesh qeveritare, ka për të prekur veçanërisht sektorin publik. Efektet e para do të jenë ulje shpenzimesh dhe investimesh qeveritare si edhe ulje rrogash dhe bonusesh në sektorin publik. Por një stimul fiskal i munguar në një periudhë krize ekonomike do të vinte në vështirësi edhe sektorin privat, pra do të prekte punësimin dhe pagat e emigrantëve tanë. Megjithatë, remitancat (që vijnë në masë nga Greqia) në 2009-n kanë rënë rreth 6.6% në krahasim me 2008-n. Rënia nuk është drastike, po të kihet parasysh se është më e vogël se rënia e 2008-s në krahasim me 2007-n. Duke pasur parasysh se në 2009-n papunësia në Greqi ishte rreth 10% (nivel i paparë prej vitesh), nuk mendoj se jemi prekur shumë.
Unë nuk mendoj se emigrantët tanë në Greqi do të lëvizin në numra të mëdhenj drejt Shqipërisë apo vendeve të tjera. Shqipëria akoma ka diferenca të mëdha zhvillimi me Greqinë, ndërsa vendet e tjera evropiane akoma nuk kanë dalë bindshëm nga kriza.
Por, një arsye mjaft e rëndësishme është se ekonomia greke ka shumë nevojë për emigrantët nga pikëpamja e konkurrueshmërisë. Nga të dhënat statistikore evropiane del se Greqia dhe Italia janë në vështirësi për sa i përket konkurrueshmërisë dhe si pasojë po ulet gradualisht volumi i mallrave dhe shërbimeve që shesin në tregjet ndërkombëtare. Problemi i konkurrueshmërisë zgjidhet në terma afatgjatë me investime të mëdha në teknologji dhe me ndryshimet e nevojshme strukturore. Në terma më afatshkurtër dhe kur nuk ka shumë para, emigrantët (ku hyjnë edhe ata shqiptarë) me rrogat akoma të ulëta dhe me kualifikimin e fituar janë “antidot" shumë i vlefshëm për konkurrueshmërinë greke dhe italiane, sepse sjellin ulje të rëndësishme të kostove të prodhimit.
Një aspekt tjetër mjaft i rëndësishëm ka të bëjë me kontributet e rëndësishme dhe afatgjata të emigrantëve (kryesisht në moshë të re) në fondet e pensioneve greke. Emigrantët janë “antidot” edhe për plakjen e popullsisë. Ekonomia greke nuk e ka luksin e humbjes së emigrantëve.

Kriza që nisi nga deficiti i pakontrolluar buxhetor në Greqi, po prek edhe bankat e nivelit të dytë, megjithëse këto të fundit janë ende të fuqishme, për shkak të mungesës së likuiditetit në ekonominë greke (mosbesimi ndaj bonove të thesarit e ka shtuar këtë frikë) dhe uljes së ekonomive familjare e si pasojë edhe kreditimit. Çfarë pasojash ka një “krak” i mundshëm në sistemin bankar grek për depozitat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, por edhe për filialet e këtyre bankave në Shqipëri?
Mendoj se bankat tregtare dhe Banka Qendrore Greke kanë përvojë të madhe krizash ekonomike e financiare dhe i kanë marrë masat . Natyrisht, përkeqësimi i mëtejshëm i ekonomisë do të sillte vështirësi shtesë. Pra, mendoj se vështirësitë e sektorit bankar do të jenë të menaxhueshme. Megjithatë, në rastin hipotetik të një krize bankare, mund të prekeshin kursimet e emigrantëve tanë në Greqi dhe “bankat bija” greke në Shqipëri.
Mendoj se pjesa dërrmuese e depozitave të emigrantëve tanë në Greqi është e siguruar 100% deri në 100000 euro. Greqia ishte ndër vendet e para që rriti kufirin e sigurimit 100% të depozitave bankare. Nuk mendoj se janë shumë emigrantët shqiptarë me mbi 100000 euro në bankat greke.
“Bankat bija” në Shqipëri nuk mendoj se do të preken në mënyrë të rëndësishme. Ato kanë likuiditet të mjaftueshëm dhe kapital të kënaqshëm si edhe përballuan me mjaft sukses tërheqjet e depozitave në fund të 2008-s deri në mes të 2009-s. Gjithashtu, operojnë në kushtet e një ekonomie që rritet pozitivisht, por edhe nën mbikëqyrjen konservative të Bankës së Shqipërisë.
Megjithatë, duhet pasur parasysh se “bankat mëma” greke janë investitorë të rëndësishëm në sektorin bankar shqiptar, sepse zotërojnë paketën kontrolluese të aksioneve të “bankave bija” greke. Unë mendoj se kur “mëmat” janë në vështirësi në tregun kryesor (që është Greqia), ka shumë të ngjarë të shtyjnë për më vonë investime të mëtejshme në sektorin bankar shqiptar. Pra, në aspektin e investimeve të huaja direkte, ne do të prekemi.

Ndërkohë që kriza greke po përshkallëzohet, “New York Times” paralajmëronte përpara dy ditësh frikën e një konflikti social në sensin e grevave të vazhdueshme që do të paralizonin edhe më tej ekonominë e çalë greke. Çfarë pasojash do të kishte në ekonominë greke diçka e tillë dhe si do të reflektonin në ekonominë shqiptare?
Masat drastike për uljen e deficitit nënkuptojnë se duke filluar nga sektori publik do të ketë prekje rrogash, bonusesh, pensionesh etj. Kjo ka sjellë greva, prandaj një akord sindikata – qeveri për masat antideficit duket i domosdoshëm. Natyrisht, qeveria e re e majtë greke e kishte parashikuar dhe mendoj se do të përgjigjet si duhet. Një gjë është e rëndësishme, të gjithë e kanë kuptuar se për të dalë nga kriza duhen masa të vendosura dhe afatgjata. Nëse arrihet shpejt akordi qeveri – sindikata, unë nuk mendoj se do të kishte pasoja shtesë për ekonominë greke dhe reflektime në ekonominë shqiptare.

Bashkimi Evropian e ka në qendër të vëmendjes Greqinë, porse vendet anëtare janë shprehur kategorikisht kundër çdo mundësie blerjeje të borxhit grek, me rastin e fundit Gjermaninë, që ishte një ndër shpresat kryesore të Greqisë. Si e parashikoni vijueshmërinë e kësaj krize në këto kushte dhe a mund të flasim tashmë për nisjen e një krize në mbarë Eurozonën?
Rasti grek dhe i disa vendeve të tjera është sfida më serioze e këtij lloji për Bankën Qendrore Evropiane dhe euron. Borxhi publik grek duke qenë sa 120% e GDP-së, u është afruar kufijve të pamundësisë së kthimit të tij nga qeveria greke (angl. default). Fatkeqësisht, Greqia nuk është vendi i vetëm në zonën euro me probleme borxhi të lartë publik. Vende të tilla, si Portugalia, Irlanda, Spanja dhe Italia kanë gjithashtu probleme të mëdha. Borxhet e larta publike të këtyre vendeve potencialisht minojnë politikën e Bankës Qendrore Evropiane për stabilitetin e çmimeve. Arsyeja është se Banka Qendrore Evropiane nuk do të mund të rriste normat e interesit në pritje të inflacionit të ardhshëm, për shkak se do të vinte akoma më në vështirësi qeveritë debitore të zonës euro, sepse do të kontribuonte më tej në rritjen e kostos së borxhit të tyre. Euroja, gjithashtu, preket nga ky rast, sepse shërbimi i borxhit nënkupton likuiditet të lartë, pra ekspansion oferte të euros dhe si pasojë, ulje të vlerës së saj në lidhje me monedhat e tjera. Pra, euroja motivon vëmendjen e lartë të Bashkimit Evropian ndaj rastit në fjalë.
Megjithatë, trajtimi i këtij rastit nga ana e vendeve lider të zonës, euro si Gjermania dhe Franca, është mjaft i kujdesshëm. Arsyet mendoj se janë dy. E para, rasti grek, ndonëse i vështirë, konsiderohet i menaxhueshëm, pra nuk ka nevojë për blerje të plotë të borxhit (angl. bailout). Kërkohet që qeveria greke të jetë faktori kryesor për vënien nën kontroll të financave të saj. Besohet akoma tek suksesi i mundshëm i masave të qeverisë së re greke (nuk ka përgjegjësi direkte për situatën) dhe i jepet mbështetje e fortë politike, garanci për borxhin e ardhshëm si edhe kredi individuale nga vendet të zonës euro. E dyta, kihet parasysh se një blerje e plotë e borxhit grek do të krijonte precedentin e dëmshëm të shpërblimit të atyre qeverive që nuk respektojnë kriteret fiskale të paktit mbi të cilin mbështetet euroja. Kjo do ta dëmtonte mjaft rëndë euron, sepse do të rritej mundësia e papërgjegjshmërisë fiskale nga të tjera shtete të Eurozonës në të ardhmen (angl. moral hazard phenomenon). Si thashë më lart, vende të tjera të zonës euro janë në vështirësi deficitesh dhe borxhesh publike. Pra, nuk përjashtohet mundësia e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Përfundimisht, mendoj se kriza është e para e kësaj përmase për zonën euro, por deri në këto momente duket e menaxhueshme dhe është fat që dy vendet e mëdha të zonës euro (Gjermania dhe Franca) kanë situatë ekonomike dhe pozicion fiskal në përmirësim.

A kanë mundësi institucionet shqiptare (Banka e Shqipërisë, qeveria etj.) të zbusin ose të mënjanojnë efektet e krizës greke në ekonomi? Nëse po, çfarë masash duhen ndërmarrë, sipas jush?
Efektet në ekonominë shqiptare i parashikoj kryesisht në drejtim të investimeve të huaja direkte të ardhura nga Greqia, si edhe në drejtim të remitancave dhe eksporteve shqiptare në Greqi. Politikat e tanishme për të tërhequr investimet e huaja direkte në Shqipëri duhet të vazhdojnë, duke pasur parasysh edhe këtë rast.
* Këshilltar në Bankën Qendrore Evropiane

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›