E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Buxheti 2010, ulen 25 miliardë lekë shpenzimet

Rreth 25 miliardë lekë do të shkurtohen nga buxheti i vitit 2010, që do të thotë se shpenzimet do të ulen me rreth 5 për qind nga parashikimi i bërë. Një fakt të tillë e ka pranuar dje ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili tha se projektbuxheti 2010 do të rishikohet dhe një herë nga qeveria. Rishikimi i buxhetit lind si pasojë e mosrealizimit të buxhetit të vitit 2009 dhe si rrjedhojë e krizës globale. Kjo do të thotë se do të preken investimet, por ministri ka garantuar se ky rishikim nuk prek pagat dhe pensionet. Bode pranoi se kriza infektoi ekonominë shqiptare. Nga ana tjetër, ministri Bode ka deklaruar se qeveria do të pranojë kërkesat e biznesit për amnisti fiskale

Mosrealizimi i buxhetit të vitit 2009 dhe efekti negativ që dha kriza globale në ekonominë shqiptare kanë detyruar qeverinë të bëjë ndryshime në shpenzimet e vitit 2010, duke i ulur ato nën nivelin e parashikuar në buxhetin e vitit 2010. Pak ditë më parë, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Financave të bëjë ndryshimet e duhura për një rishikim të buxhetit të vitit 2010. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka bërë dje publike në një konferencë shtypi faktin se ekspertët po punojnë për të bërë draftin për rishikimin e buxhetit të vitit 2010. “Do të rishikohet edhe një herë buxheti 2010 nga qeveria, duke minimizuar me 25 miliardë lekë shpenzimet e saj, ose rreth 5% të buxhetit”, - ka deklaruar dje ministri Bode. Kjo do të thotë se do të preken investimet që ishin parashikuar për vitin 2010, por nga ana tjetër, ministri ka garantuar se në këtë rast përjashtohen shpenzimet për pagat e pensionet. “Ulja e këtyre shpenzimeve nuk do të thotë se do të preken pagat e pensionet. Kjo ulje nuk do të cenojë rritjen e pagave dhe pensioneve. Ulja e shpenzimeve si pasojë e krizës globale që ka infektuar ekonominë, nuk do të prekë rritjen e pagave dhe pensioneve”, - tha dje Bode. Ai ka argumentuar para gazetarëve faktorët që sollën në një vendim të tillë, për rishikim të buxhetit. Sipas tij, mosrealizimi dhe ndikimi i krizës globe diktuan në marrjen e një vendimi për rishikim të buxhetit. Bode është shprehur se të ardhurat e realizuara në buxhet janë 92%, ndërsa shpenzimet buxhetore arrijnë deri në 94%. Ndonëse qeveria për vitin 2009 parashikonte një rritje që të shkonte afro 5 për qind, ajo ka pranuar se rritja reale në vitin 2009 ka qenë vetëm 3 për qind dhe kjo duket se është pranuar edhe në grafikët që Ministria e Financave bëri dje publikë. Por nga ana tjetër, kjo rritje konsiderohet nga më të mirat në vendet e rajonit, ku vende si Kroacia, Hungaria, Çekia, Serbia, Bullgaria etj., rritja ekonomike ka qenë nën zero. Lidhur me inflacionin në vendin tonë, të dhënat e Ministrisë së Financave flasin për një shifër të inflacionit nën kontroll, i cili në afat vjetor ishte vetëm 2.2 për qind për vitin 2009. Ndërsa luhatja e kursit të këmbimit ka qenë në favor të valutave të huaja, duke ndikuar në zhvlerësimin e lekut sidomos në 4 muajt e fundit të vitit 2009. Ndërkaq borxhi publik në vitin 2009 zë rreth 59.5 të PBB-së.

Amnistia fiskale, Bode: Është momenti i duhur

Kërkesës së vazhdueshme nga komuniteti i biznesit i vjen një dritë jeshile nga kreu i Financave të vendit, ministri Ridvan Bode. Ai është ka deklaruar dje se është pro, madje se tani është momenti për një amnisti fiskale. Pas deklaratave të përfaqësuesve të Tatimeve dhe Doganave, edhe kreu i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar dje se qeveria është pro një amnistie fiskale për bizneset. I pyetur lidhur me kërkesën e këtyre të fundit për një amnisti, që të përfshijë edhe legalizimin e aseteve të kërkuara nga privatët, ministri tha dje në një konferencë shtypi se "është momenti i duhur për këtë dhe strukturat e Ministrisë së Financave po negociojnë me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë". Pas faljeve të gjobave, kamatave apo amnistive të pjesshme, të kryera deri tani, për taksa makinash apo kontribute të papaguara, deklarata e ministrit Bode është e para që vjen nga një titullar i qeverisë, për më tepër kreu i Financave. Kërkesa ka qenë dhe është përsëritur dje nga anëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, të cilët, në takim me zyrtarë të Ministrisë së Financave, deklaruan dje se “kjo amnisti presupozon legalizim asetesh, amnisti për detyrime që kanë të bëjnë me borxhin tatimor apo doganor të paqartë, apo shuarjen e detyrimeve tatimore për pasurinë e vënë në vite, në kohën kur kuadri ligjor dhe administrativ tatimor nuk ishte as i plotë dhe as i konsoliduar”. Situata ekonomike e ka vënë qeverinë ne vështirësi likuiditeti dhe i gjendur përballë kësaj situate, Ridvan Bode ka pohuar se qeveria do të pranojë kërkesën e biznesit për amnisti fiskale. Pas shumë kërkesash, qeveria duket e gatshme që të amnistojë biznesin në detyrimet e prapambetura, çka do të sillte edhe një legalizim të aseteve të tyre. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë hartoi pak ditë më parë një platformë ku i kërkonte qeverisë që të kryente amnisti fiskale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›