E Diel, 1 Nëntor 2026

“Njerëz të humbur” në gjurmë të Armando Koxhajt në Francë



Familja e dinte të vdekur, por “Njerëz të humbur” gjen gjurmë të tij në Francë. Historia e Armando Koxhajt ka bërë një bujë të jashtëzakonshme natën e së shtunës, pasi për shumë vite familja ka dyshuar se ai nuk mund të ketë qenë më në jetë. Dy fëmijët e tij, Enesi dhe Sindi, të pranishëm ndërmjet dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes së Armandos, kanë prekur mijëra teleshikues për të dhënë informacionet e tyre për këtë rast. Por si largohet dhe pse familja i kishte shuar shpresat për ekzistencën e tij në jetë!? Armando është larguar nga shtëpia në datën 25 dhjetor të vitit 1999 në drejtim të Vlorës. Në datën 30 dhjetor të po këtij viti Armando merr në telefon familjen dhe i thotë nënës: ”N.q.s. sot deti do të jetë me dallgë unë do të kthehem në shtëpi, n.q.s. jo do të iki në Itali”. Nëna i lutet që të kthehet në shtëpi dhe i kërkon që t`i thotë arsyet e marrjes së këtij vendimi. Që prej kësaj date familja nuk merr vesh më asgjë për djalin e tyre. Një telefonues ka pohuar se Armando ka kaluar detin me skaf. Më pas ka qëndruar në qytetin e Modenës në Itali dhe më vonë është larguar në drejtim të Francës. Ky djalë e ka njohur shumë mirë, pasi është nga Berati dhe ka qenë një ndër shokët e tij. Nata e së shtunës ka qenë shumë shpresëdhënëse ndaj historisë së Armandos. Të gjitha ishin të fokusuar në Paris, në një zonë afër Konsullatës Shqiptare në këtë qytet. Koordinatat e sakta të dhëna ka bërë që stafi i gazetarëve të Aida Shtinos të orientojnë shumë vullnetarë dhe korrespondentë të “Njerëz të humbur” për të verifikuar këtë pistë. Me gjithë orët e vona të marrjes së këtyre informacioneve, kureshtja dhe gatishmëria e emigrantëve shqiptarë nuk ka munguar duke bërë që këtë javë të vërtetojë njëherë e mirë vendndodhjen aktuale të 33-vjeçarit beratas, Armando Koxhaj.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›