E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 17 vitesh shenja jete të Ramazanit në një burg të Zvicrës



Pas 17 vitesh, Ramazan Subashi shfaq shenja jete në një nga burgjet e kantonit Kitino të Zvicrës. Por si nisi historia e këtij djali? Në datën 6 mars të vitit 1991, Ramazani i kishte kërkuar babait pasaportën dhe librezën ushtarake. Fadili, i ati i Ramazanit, e kishte kuptuar qëllimin e djalit për t’u larguar jashtë shtetit dhe, duke qenë se akoma ekzistonte frika e arrestimit nga sistemi i atëhershëm, refuzoi t’ia jepte. Po në atë mëngjes të 6 marsit, ai kishte hipur në tragetin e parë që shkonte drejt Italisë bashkë me shumë klandestinë të tjerë dhe vendoset në Firence. Aty Ramazani bashkohet me katër persona të tjerë nga vendlindja e tij. Për disa muaj ai do të qëndronte në një qendër spitalore. Në muajin qershor të vitit 1991, ai largohet drejt shtetit të Zvicrës nga ku nuk kontaktoi më kurrë me familjen. Një person nga Marikaj ka dalë vite më vonë dhe ka pohuar se pasi kishin shkuar në Zvicër, Ramazani kishte dashur të rikthehej sërish në Itali. Shokët e tij i kishte kapur policia, ndërsa me Ramazanin nuk dihet se çfarë ndodhi. Gjatë trajtimit në emisionin e Aida Shtinos në “Vizion plus” u hodhën dy pista kryesore për vendndodhjen e Ramazan Subashit. Më të shumtat informacione vinin nga Austria ku njerëz të ndryshëm pohonin ekzistencën e 41-vjeçarit në këtë vend dhe, sipas tyre, ai ishte pajisur me pasaportë dhe ishte i martuar. Por një tjetër pistë e mundshme ishte edhe ajo e Zvicrës nga ku djali thuhet se ka humbur kontaktet. Por të gjitha këto mbeten për t’u verifikuar pasi largimi i tij është prej një kohe të gjatë dhe kërkimet duhet të kenë baza të forta. Një telefonues nga Dallasi tregon se ka njohur një person me emrin Ramazan në këtë kontinent. Nga viti 1998 deri ne vitin 2000 ka qëndruar në Dallas dhe në vitin 2000 është shpërngulur në Nju Jork. Ai zotëronte shumë mirë gjuhën italiane dhe fliste pak turqisht dhe gjatësia ishte e njëjte me Ramazan Subashin. Verifikimet vazhduan intensivisht, por nuk dhanë asnjë rezultat pozitiv për vendndodhjen e 40-vjeçarit. Një zotëri kontakton në redaksinë e emisionit “Njerëz të humbur” dhe tregon se Ramazan Fadil Subashi ndodhet ne shtetin zviceran, por është i izoluar, pasi kryen dënimin në një burg për vrasje. Stafi i gazetarëve ka pasur kontakte të vazhdueshme deri në atë fazë sa ky staf arriti të sigurojë mesazhin e Ramazan Subashit. Ai vijon si më poshtë: “Mirdita SHQIPERIA E MADHE. Po, unë jam Ramazan Subashi. E mora vesh që më kërkon e faleminderit shumë nga ju, po nuk mund të bisedoj momentalisht, po kam dëshirë të di sesi e kam mamin, babin? A i kam gjallë? Po të keni mundësi t’u bëni shumë të fala, thojani që zemra po më vajton mbas atyre dhe ju kërkoj shumë falje që i humba. Të afërmit si i kam? Të fala të gjithëve. Ju përqafoj shumë, oj SHQIPËRIA IME”?
Kontakti vijon më tej me Ambasadën Shqiptare në Zvicër, e cila nga ana e saj kthen një përgjigje zyrtare, ku thuhej se Ramazani është i burgosur në një burg të kantonit të Kitinos, Zvicër. Këtë javë “Njerëz të humbur” do të arrijë të sigurojë të dhëna të mëtejshme, të cilat do të vërtetojnë kryekëput ekzistencën e Ramazan Subashit në këtë shtet.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›