Manastiri grek që fsheh misterin e 40–vjeçarit Ilmi Çela
Një manastir grek dhe një murg shqiptar që mistershëm ngujohet në të që prej vitit 1994 hodhi pistën më të re për ekzistencën e një 40-vjeçari nga Skrapari të shtunën mbrëma në emisionin “Njerëz të humbur”. Kjo është historia e Ilmi Çelës nga fshati Zabërzan i Skraparit, e cila daton më 16 gusht kur Ilmiu u largua për herë të fundit nga Shqipëria. Jeta e tij në fshat ishte e lidhur vetëm me bagëtinë, ndonëse një djalë i ri, si ai në moshën 25-vjeçare kishte shumë dëshira për të ardhmen. Vendimi i tij për të marrë rrugët e Greqisë nuk u mirëprit nga prindërit, por Ilmiu këmbëngulte duke i thënë vetës se Greqia do të ishte vendi i së ardhmes së tij, të cilën e shihte me aq shkëlqim. Pasi takohet me një të afërmin e tij nga i njëjti fshat, Ilmiu niset drejt shtetit helen. Dukej se një jetë e re po shfaqej papritur në horizontin e tij. Ndonëse udhëtoi për tri ditë e tre net, Ilmiu arriti që të gjente punë i pari nga gjithë grupi i shqiptarëve ilegalë që ishin nisur drejt “tokës së premtuar”, Greqisë. Teksa qëndronin të fshehur pas disa shkurreve në një fshat të braktisur, pranë këmbëve të tyre kaloi një fuoristradë më ngjyrë të gjelbër, e cila ngriti pluhurin e rrugës dhe pas pak minutash ndaloi. Një shtetas grek, pronar i një ferme në këtë fshat të quajtur Kastraq, kërkonte një çoban për dhentë e tij. Ilmiu pranoi që të shkonte me të duke u ndarë përfundimisht edhe me shkokët e rrugës. Pas një muaji nga largimi i tij nga Shqipëria askush nuk mori më vesh asnjë lajm për 40-vjeçarin. Kanë kaluar tashmë 15 vjet dhe as familja e as miqtë e tij nuk dinë asgjë për fatin e tij. Disa gojëdhëna flasin për një pistë të frikshme, se ndoshta Ilmiu mund të jetë ekzekutuar nga pronari i tij grek për motive të dobëta. Por ky lajm nuk u konfirmua asnjëherë, mbeti thjesht në kuadrin e disa të thënave pa një bazë të qëndrueshme. Në fakt kjo është edhe një ndër të paktat pista të mundshme tek e cila familja e Ilmi Çelës dyshon më tepër. Gjatë trajtimit të këtij rasti të shtunën mbrëma në Vizion Plus, në “Njerëz të humbur”, emigrantë të shumtë telefonuan për të dhënë ndihmën ë tyre vullnetare ne lidhje me pistën më të mundshme deri tani, atë të manastirit. Një shqiptar me emrin Ilia dhe me moshë relativisht të njëjtë më atë të Ilmi Çelës që kërkohet, ka hedhur dyshimet më të mëdha se shqiptari nga fshati Zabërzan i Skraparit mund të ndodhet i ngujuar aty. Siguria e këtyre manastireve është shumë e lartë dhe depërtimi në to është shumë i vështirë. Askush nuk di me qartësi sesi këto manastire funksionojnë, por deri tani diçka është e sigurt, që një shqiptar me të dhëna paraprake të ngjashme më ato të 40-vjeçarit Çela ndodhet në manastirin e Agjio Oresit. Mbetet për t’u zbuluar nëse ai shqiptar është Ilmi Çela apo dikush tjetër i ngjashëm me të. Misteri “Ilmi Çela” nuk do të mbyllet këtu, do të vazhdojë derisa “Njerëz të humbur” të zbulojë çdo detaj të zhdukjes së këtij shqiptari të humbur.
SHËNIM
“Për cdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com, shkruani ne adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni ne Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”
8 Prill 2008