Ujkani, heroi i javës: Penalltitë, një makth

Samir Ujkani
Shpallet portieri i javës në Serinë A. Tani në një shkallë me Hulio Sezarin.
Për më pak se dy muaj, Samir Ujkani ka bërë atë që shumë portierëve të tjerë u duhen vite të tëra. Portieri i Kombëtares shqiptare ka pritur katër penallti, dy në Serinë A dhe dy me Kombëtaren shqiptare, duke u bërë ndër portierët më të vlerësuar në Itali e Europë për pritjen e penalltive. Penalltinë e fundit ai e priti në fundjavë. Ai i mohoi golin njërit prej sulmuesve më me përvojë në Serinë A, Marko di Vaios të Bolonjës. Penalltinë tjetër në kampionatin italian e ka pritur më 15 janar, në ndeshjen Çezena-Novara. Në këtë ndeshje Ujkani pati pritur goditjen e Antonio Kandrevas, ndërkohë që dy penalltitë me Kombëtaren shqiptare i priti më 29 shkurt, në ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Atij po i ecën vaj me penalltitë dhe me performancën që po shfaq gjatë gjithë ndeshjes, por jo edhe ekipeve të tij. Novara dhe Kombëtarja shqiptare kanë humbur ndeshjet kur Ujkani ka pritur penalltitë. Novara humbi nga Çezena 3-1 dhe Bolonja 1-0, ndërkohë që Kombëtarja shqiptare u mposht 2-1 nga Gjeorgjia në miqësoren ku Ujkani priti dy penallti. Me gjithë suksesin individual, Ujkani tregohet modest. “Është çështje fati pritja e penalltive. Unë përqendrohem të hidhem në njërin krah, po ashtu edhe lojtari e ka të njëjtin mendim dhe në fund unë dal fitues. Kjo puna e penalltive nuk ushtrohet shumë, pasi në penallti duhet të ndihmojë fati. Mua po me ecën mirë, por jo edhe ekipit, ama. Ky është problemi. Dihet se e rëndësishme është që të arrijmë rezultat pozitiv në ndeshjen kur unë pres ndonjë penallti, por kjo nuk ka ndodhur deri tani”, ka thënë Ujkani për “Kohën Ditore”. Pritja e penalltisë dhe pritja e disa goditjeve të tjera të sulmuesve të Bolonjës ka bërë që Ujkani të shpallet portieri i javës në Serinë A nga uebfaqja “ilportiere. com” e destinuar kryesisht për punën e portierëve. “Samir Ujkani priti një penallti në pjesën e parë në ndeshjen Bolonja-Novara. Ai gjithashtu ka pritur edhe disa goditje të ekipit të Bolonjës”, arsyeton “ilportiere. com” çmimin për Ujkanin. Me dy pritje të penalltive në Serinë A këtë sezon, Ujkani futet në grupin e parë të portierëve, ku bëjnë pjesë edhe portierët Mirante (Parma), Sorrentino (Kievo) e Hulio Sezar (Inter). “Shpresoj të mos akordohen më penallti kundër nesh, por nëse do të ndodhë, unë shpresoj të mbroj sa më shumë për t’i dhënë ekipit moral dhe mundësi, pavarësisht se herën e fundit u demoralizova disi që edhe pse prita penallti dhe i dhashë skuadrës një shans të madh, ne sërish nuk e evituam humbjen me Bolonjën”, thotë Ujkani.
15 ndeshje ka luajtur me ekipin tonë përfaqësues Samir Ujkani. Ai ka zënë vendin e titullarit te kuqezinjtë dhe këtë e vërtetoi më së miri edhe në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, ku priti 2 penallti.
E ardhmja: “Synoj të rikthehem te Palermo”
Samir Ujkani është ndër më të vlerësuarit te skuadra e Novaras. Disa herë është gjetur në ekipin e javës të Serisë A për paraqitjet që pati. Por Ujkani ka kontratë me Novarën deri në vitin 2014 dhe gjysmën e kartonit të tij e ka klubi sicilian i Palermos. Ai shpreson që sezonin tjetër të mbetet në Serinë A, qoftë duke qenë pjesë e Novaras, qoftë duke kaluar te Palermo. “Dëshira ime është që edicionin tjetër të jem në Palermo, por tani për tani jam i përqendruar te Novara. Në fund të sezonit të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Ujkani.