E Diel, 1 Nëntor 2026

Athina kushtëzon Shkupin, më parë “emri" pastaj BE

ATHINE- Kryeministri grek Papandreu ka lënë të kuptohet se në samitin e dhjetorit do të bllokojë caktimin e datës së nisjes së negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian, deri në zgjidhjen përfundimtare të cështjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës.

Duke folur për takimin e shkurtër me homologun e tij maqedonas, Nikola Gruevski, Papandreu tha se ishte një rast për t’i theksuar drejtëpërdrejtë vijën e kuqe të Greqisë, që shprehet në qëndrimin e njohur për një emër me përcaktim gjeografik që të përdoret kundrejt të gjithëve, ndërsa nënvizoi se i bëri të ditur Gruevskit se Greqia është e para që dëshiron ta shohë vendin fqinj në NATO dhe në BE, por që të arrihet kjo, duhet zgjidhur më parë cështja e emrit.

Pas qëndrimit në Bruksel, kryeministri Papandreu tha se Greqia u prezantoi liderëve të BE-së iniciativën e tij për integrimin ë të gjithë vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian.

"Kishim rastin të paraqesim një iniciativë të re, njëvizion të ri për integrimin europian të rajonit. Duke marrë një objektiv simbolik, por edhe të guximshëm, për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian deri në vitin 2014, domethënë 100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore në Sarajevë" u shpreh Papandreu.

Sipas kryeministrit grek, ky propozim do të japë shpresë dhe vizion të ri për rajonin. Ai shtoi se zhvillimet e reja do të japin edhe një dinamizëm në zgjidhjen e problemeve dypalëshe.
(e.n/bbc/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›