E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, antidroga sekuestroi drogë, armë e dollarë fallso

BEOGRAD-Mbi 500 vetë janë arrestuar gjatë një operacioni masiv kundër drogës në mbarë Serbinë. Ministria e Brendshme tha se ky është operacioni më i madh kundër trafikantëve të drogës që është kryer ndonjëherë në Serbi.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç bëri të ditur se mbi 500 persona u arrestuan, gjatë operacionit ku morrën pjesë 2000 policë.

“Kemi mbajtur në paraburgim 100 të dyshuar nga 500 persona që arrestuam në total. Kemi kapur dhjetëra kilogramë drogë të llojeve të ndryshme, sasi të mëdha armësh e municioni si dhe një numër makinash të vjedhura. Sekuestruam rreth 20 automjete luksi, që ishin në pronësi të trafikantëve të drogës si dhe kapëm 1.5 milionë dollarë të falsifikuara”, tha Daçiç gjatë një konference shtypi.
Personat e arrestuar besohet se kanë qënë të përfshirë në shitjen e drogës nëpër shkolla dhe universitete.
Dje agjencitë ne lajmeve serbe bënë të ditur se operacioni ka patur në fokus zonat e Novi Pazarit, Vranjës, Bujanovcit dhe Preshevën.

Autoritetet serbe duket se i kanë intensifikuar operacionet kundër narkotikëve kohët e fundit.
Në bashkëpunim me homologët e tyre amerikanë, ata ndaluan mbi 2 ton kokainë pranë brigjeve të Uruguajit.
Droga mendohet se po shkonte drejt një porti në Mal të Zi, për t'u shitur më pas në tregun evropian.
Ballkani është një rrugë kryesore për trafikimin e drogës dhe të gjitha vendet dëshirojnë të tregojnë se janë duke shtuar përpjekjet për të luftuar krimin dhe për të ecur përpara drejt synimit të tyre për anëtarësim në BE.

Serbia është konsideruar si një nga vendet ku kalojnë rrugët kryesore të trafikut të drogës, që lidhin Azinë Qëndrore me Evropën Perëndimore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›