Vizitat te mjeku, çmimet që kanë ndryshuar për të pasiguruarit
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë u ka dhënë urdhër spitaleve të vendosin tarifat e reja, të cilat do të zbatohen tani e tutje. Prej disa ditësh, spitalet kanë afishuar tarifat e reja, që pothuajse janë trefish më të larta se ato më parë. Tashmë një pacient që do të kryejnë një vizitë të thjeshtë në poliklinikë nuk do të paguajë më 400 lekë, por do të paguajë 1000 lekë. Ndërsa një vizitë te specialisti, pacientit do t’i duhet të paguajë 1500 lekë nga 600 lekë që ka qenë më parë. Po kështu është vepruar me spitalet e nivelit terciar dhe me maternitetet, ku tarifat kanë arritur vlerat maksimale dhe janë bërë të papërballueshme për personat e pasiguruar. Numri i personave të pasiguruar në vend është tepër i lartë, prandaj dhe numri i pacientëve që do të kryejë vizitë me lekë në dorë është shumë i madh.
Rregulli
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë është shprehur për vendosjen e rregullave të reja në spitale. Një rregull i ri që ai ka kërkuar të vendoset është që pacientët nuk do mund të hyjnë në spitale të shoqëruar me më shumë se një person. Në këtë mënyrë do të shmanget rrëmuja dhe kaosi në spitale. Shpeshherë spitalet vuajnë nga mbipopullimi, ku një pjesë e madhe e personave që ndodhen brenda janë shoqërues të pacientëve. Numri i madh i shoqëruesve të pacientëve shpeshherë është bërë shkak për konflikte të ndryshme mes tyre dhe mjekëve.
Disa raste janë bërë të njohura dhe kanë vënë në rrezik jetën e bluzave të bardha. Por, me gjithë masat e marra, MSH-ja synon që të zbatohet sistemi i referimit, të rritet numri i të siguruarve dhe të vendosen rregulla të rrepta në spitale, ku të mos lejohet të hyjë kushdo.
Arsyet
Vendosja e tarifave të reja në çdo spital apo poliklinikë dhe veçanërisht ndryshimi i tyre, janë një detyrim që pacientët të sigurohen. Sigurimet shëndetësore do të mundësonin ecurinë e reformës që MSH-ja ka nisur në spitalet e vendit, ku do të rritej niveli i të ardhurave për spitalet dhe ulja e kostos së vizitave për pacientët. Po të shohësh tarifat e afishuara në spitalet, duket qartë se një pjesë e tyre kanë shënuar rritje, si dhe këmbëngulja e MSH-së për të zbatuar sistemin e referimit është një nxitje për sigurimin shëndetësore të pacientëve. Për një pjesë të qytetarëve që nuk janë të siguruar në punë ose nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëdhënie pune, problemi mbetet që ata duhet t’i paguajnë kontributet në mënyrë vullnetare. Kjo është një situatë që i step një kategori të caktuar qytetarësh për të mos kryer pagesën. Sipas tarifave të reja qytetarët që nuk janë të siguruar dhe nuk paraqesin librezën shëndetësore në spitalet, ku duan të vizitohen do të paguajnë koston reale të vizitave. Nëse ata do të jenë të siguruar tarifat për vizitë kryhen falas ose në disa raste të diagnozave të veçanta përgjysmohen. Prandaj MSH-ja këmbëngul për zbatimin e sistemit të referimit, që pacientët që nuk kanë rekomandimin e mjekut të lagjes nuk mund të vizitohen në spitale të nivelit terciar. Sipas informacioneve të marra nga QSUT-ja, Maternitetet dhe spitale të tjera qendrore, bëjnë të ditur se nuk pranojnë më vizita pa pasur rekomandimin e mjekut të lagjes, që e drejton pacientin të kryejë një vizitë në këtë spital. Sipas këtij rregulli, pacientët duhet të ndjekin sistemin e referimit, që do të thotë që çdo pacient duhet të kryejë një vizitë fillestare tek mjeku i lagjes, pastaj duhet të shkojë në poliklinikë dhe më pas me rekomandimin e mjekëve përkatës duhet të drejtohet në spitalet e mëdha.
Sigurimi shëndetësor vullnetar, arsyet e vetësigurimit
Qytetarët që nuk përballojnë kostot e vizitave në spitale mund të vetsigurohen nëpërmjet sigurimit vullnetar. Sigurimi vullnetar ka të bëjë me ata njerëz që janë të vetëpunësuar në qytet ose në fshat, që vetsigurohen dhe duan të përfitojnë shërbime të njëjta me të siguruarit. Në këtë rast personi mund të paraqitet vullnetarisht për të përfituar këto shërbime, duke bërë pagesën përkatëse pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shëndetësore. Pas kryerjes së këtyre procedurave, i siguruari mund të përfitojë shërbimet që ofron skema. Që personi i siguruar, në mënyrë vullnetare, të përfitojë sigurim shëndetësor, duhet fillimisht të paguajë kontributin në masën e përcaktuar për një periudhë kohe për një vit. Me ndryshimin e pagës minimale do të ndryshojë dhe përqindja që duhet të paguajnë qytetarët që duan të sigurohen në mënyrë vullnetare.
3 Nentor 2009