E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, vendet fqinje në panik, Shqipëria e “qetë”



Emanuela Sako

Jehona që pati përhapja e virusit të gripit të derrit, ka pësuar zbehje të dukshme në vendin tonë. Prej disa javësh autoritetet shëndetësore nuk kanë raportuar asnjë rast të dyshimtë për prekje nga AH1N1 dhe numri i mostrave të mbledhura ka pësuar një rënie të dukshme. Sipas statistikave, deri më sot numërohen 943 mostra të mbledhura nga ISHP-ja. Kjo jo se në Shqipëri nuk duhet të ketë më asnjë rast, por duket se vigjilenca e lartë që u është kërkuar spitaleve të vendit ndaj këtyre rasteve ka një rënie të dukshme. Gjithçka po ndodh në një kohë kur vendet fqinje raportojnë raste të humbjes së jetës së qytetarëve të tyre dhe mbylljen e disa shkollave ku janë verifikuar nxënës të prekur me virus. Nga ana tjetër shtetasit shqiptarë dhe të huaj lëvizin nga një vend në tjetrin, ku përfshihen shtetet që kanë probleme me virusin pandemik.
Rastet
Numri i mostrave të mbledhura gjatë një jave nga spitalet e rretheve dhe të Tiranës, të cilat dorëzohen në ISHP, kanë pësuar një rënie të dukshme. Ky fakt është pranuar nga vetë specialistët e ISHP-së, të cilët pak kohë më parë kërkuan rritjen e gjendjes së vigjilencës si më parë. Specialistët e shëndetësisë bën të ditur se periudha shtator – tetor- nëntor do të ishte e vështirë për shkak të virozave dhe gripit sezonal, që do të ndikonin në përhapjen dhe fshehjen e virusit të gripit të derrit, prandaj dhe situata do të ishte më alarmante, spitalet duhet të ishin në gatishmëri më të lartë. Njëkohësisht qytetarët duhet të jenë më të informuar për situatën. Çka duket se është lënë pas dore, duke pasur parasysh dhe mungesën e kontrolleve në aeroporte dhe në pikat kufitare të lëvizjes së shtetasve shqiptarë dhe të huaj.
Situata
Mjekët në poliklinika bëjnë të ditur se nuk ka më raste të personave të dyshuar, ndërsa në vendet e tjera të botës situata është tepër alarmante. Mjeku Pediatër, Ilir Koli, në Poliklinikën Nr. 10, është shprehur se në këtë poliklinikë nuk ka asnjë rast të personave të dyshuar dhe se paniku tek qytetarët është ulur ndjeshëm kohët e fundit. Sipas tij, kohët e fundit është rritur ndjeshëm numri i personave që janë prekur nga virozat e stinës, pasi ulja e temperaturave ka dhënë ndikim të dukshëm tek fëmijët. Pacientët e vegjël që janë drejtuar në poliklinika, kanë pasur temperaturë të lartë. Megjithatë, me rastet e temperaturave dhe të virozave stinore rrezikshmëria e përhapjes së virusit është më e lartë dhe më e mundshme.

Ministri Vasili: ”Vaksina kundër gripit të derrit vjen në dhjetor”
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka bërë të ditur se vaksina kundër gripit të derrit vjen në muajin dhjetor. Po në këtë periudhë do të bëhet edhe vaksinimi i popullatës, sipas kategorive të përcaktuara. Ndërkohë që Europa dhe vende të tjera të botës janë përfshirë nga paniku i përhapjes së virusit dhe nga një valë pacientësh që kanë humbur jetën Ministri Vasili është shprehur se në vendin tonë situata është e qetë dhe kjo falë masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, të zbatuara nga spitalet e vendit. Megjithatë, duket se e vetmja ndërhyrje do të jetë vaksinimi, i cili do ta parandalojë përhapjen e virusit.

ISHP: Problemet që kemi me spitalet për mbledhjen e mostrave

ISHP-ja ka bërë të ditur se menaxhimi i situatës nga ana e spitaleve nuk është zbatuar, ashtu siç ishte parashikuar. Poliklinikat e kryeqytetit dhe të rretheve kanë ulur numrin e mostrave të mbledhura nga qytetarët që shfaqin probleme respiratore, të cilët janë potenciali më i mundshëm për t’u prekur nga virusi AH1N1. Në Buletinin Informativ Nr. 21, të ISHP-së, të publikuar pak kohë më parë, specialistët bëjnë të ditur se ka një rënie të ndjeshme të vigjilencës për mbledhjen e mostrave nga specialistët e poliklinikave. Kjo përbën një problem kryesor në evidentimin e rasteve me virusin e gripit të derrit, pasi personat që mund të jenë prekur nuk ekzaminohen. Specialistët e ISHP-së kanë kërkuar që specialistët të marrin masa dhe të mos neglizhojnë asnjë rast që mund të shfaq probleme respiratore. Njëkohësisht ata kanë evidentuar se ka probleme me mbledhjen e mostrave dhe me mbajtjen e të dhënave, të cilat dërgohen dhe analizohen në ISHP. Specialistët e ISHP-së bëjnë të ditur se nga mostrat e dërguara pranë këtij institucioni është vënë re se ka disa mangësi, që përbëjnë problem për ekzaminimin e saktë të tyre. Kështu, vetëm në 56% të skedave që shoqërojnë mostrën është e shënuar data e fillimit të sëmundjes, nga këto, vetëm në 63% të tyre janë marrë brenda afateve të rekomanduara kohore. Specialistët sqarojnë se cilësia e mostrës në drejtim të përmbajtjes së qelizave në pjesën më të madhe të rasteve lë mjaft për të dëshiruar.

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›