Arkiva britanike: Politika e partizanëve dhe dështimi me Perëndimin
Vijon nga numri i kaluar
Partizanët, ky është një emër i përshtatshëm për të grupuar së bashku elementët me pikëpamje radikale, të cilët përfshihen në Lëvizjen Nacional Çlirimtare (LNÇ) dhe shkiptar-ët apo, zyrtarisht Partia Komuniste. Pavarësisht humbjeve të saj nga shkëputja e Balkom-it, LNÇ pretendonte ende se ishte partia më me influencë në Shqipëri. Është e qartë se ajo është e lidhur ngushtë me komunistët, të cilët janë partia e vetme e organizuar që ka mbetur përkrahëse e saj. Duket se po zhvillohet një situatë e ngjashme në Jugosllavi, ku nisma komuniste është mbizotëruese në Unionin e Krahut të Majtë, po ndërsa Tito ka formuar kabinetin dhe komitetin politik gjatë të cilit elementet liberalë dhe personalitetet e shquara janë në krye, nuk ka të dhëna se partizanët shqiptarë kanë grumbulluar rreth vetes figura të rëndësishme në jetën publike shqiptare për t'i mbështetur.
LNÇ dhe Shkiptarët duket se kanë veprimtari që përputhen kaq mirë me njëra-tjetrën, saqë është e vështirë të thuhet ku mbaron njëra dhe ku përfundon tjetra. Ata rekrutojnë meshkuj mbi moshën 15 vjeç si luftëtarë, në male apo si agjentë dhe organizatorë partie në qytete, ndërsa zgjedhin mes tyre ekzekutorët për tradhtarët të cilët janë dënuar nga partia. Djemtë, ndërmjet moshave 13 dhe 15 vjeç, janë rekrutuar si agjentë dhe informatorë. Puna e tyre përfshin transportimin e njoftimeve të shtypura nga malet drejt qyteteve dhe afishimin e tyre nëpër mure natën. Lëvizja ka një rrjet agjentët që punojnë në territorin e pushtuar. Kështu, në fillim të janarit, shtëpia e një fshatari 27-vjeçar u bastis në Babicë dhe brenda u gjetën dy makina shkrimi, një sasi e konsiderueshme materialesh propagandistike komuniste, medikamente mjekësore, fitil dinamiti dhe letër e bardhë. Pranë një shtëpie tjetër, në të njëjtin fshat, u gjetën të fshehura nëpër shkurre mortaja të lehta dhe municion tjetër ushtarak. Në një banesë në Shkodër u gjet një sasi e madhe materiali propagandistik ushtarak dhe gjithashtu 300 uniforma të ushtrisë italiane.
Partizanët, është e qartë, se po përpiqen të shkëputin lidhjet e kaluara me liderët e rezistencës në një federatë bandash të shpenguara, nga të cilat ekzistojnë 100 syresh secila e udhëhequr nga disa figura të shquara, të cilat komandojnë nga 20 deri në disa qindra luftëtarë. Në vend të tyre janë bërë përpjekje për të krijuar një ushtri të mirë-organizuar dhe në fillim të shkurtit 1944, një pamflet partizan ngrinte në qiell arritjet e asaj që tashmë është quajtur Ushtria Nacional Çlirimtare. Ndikimi i ngjarjeve në Jugosllavi është i dukshëm në zgjedhjen e emrit; ajo është bazuar thellësisht në politikën dhe organizimin e partizanëve, të cilët, në mënyrë të dukshme, arritën në përfundimin se Shqipëria nuk kishte asgjë për të fituar duke pritur thjesht disfatën e forcave të aksit, por mund të ndikonte në politikën e aleatëve, duke marrë nën kontroll ngjarjet ashtu siç kishte vepruar edhe Tito. "Ushtria Çlirimtare Kombëtare e Jugosllavisë", - thonë ata, - "me gjakun dhe djersën e tyre i kanë siguruar popullit të drejtat e tij me miratimin dhe njohjen e botës liridashëse, të qeverisë demokratike federale". Shkoni pra dhe veproni kështu, - thonë ata. Ky është një kontrast freskues me propagandën disfatiste që përdor qeveria.
Një sfidë e tillë është ambicioze, por ushtria partizane është ende shumë e vogël dhe influenca e saj kufizohet kryesisht në zonat malore në juglindje të vendit. Ajo përbëhet nga gjashtë brigada - e gjashta zhvilloi paradën e saj inaguruese në Përmet më 24 janar 1944, secila e përbërë nga dy apo tre batalione. Kështu, forcat e rregullta të ushtrisë nuk mund të jenë më shumë sesa afro 1500. Megjithatë, të gjitha ato nuk gjenden në të njëjtën kohë në terren, pasi secili batalion përfshin personel të përkohshëm që jeton në zonën ku kryhen operacionet dhe të cilët thirren atëherë kur është e nevojshme. Armatimi i një brigade të koracuar njoftohet të jetë i përbërë nga tre mortaja 81mm, një mortajë 45 mm, 5 mitralozë “Breda”, një granatahedhëse, gjashtë pushkë automatike “Breda” dhe pushkë të zakonshme. Gjendja e veshmbathjes së trupave linte shumë për të dëshiruar dhe në fillim të këtij dimri Unioni i Grave Antifashiste i lidhur me partizanët u bëri apel të gjitha grave të thurnin triko dhe çorape për burrat në betejë. Ato gra të cilat nuk mund të sigurojnë lesh për triko janë udhëzuar ta sigurojnë atë nga dyshekët dhe jasteqet.
Ushtria nuk duket të jetë më e madhe sesa një bërthamë forcash modeste që u përket bandave guerrile, ndërsa partizanët njoftohet se kanë mobilizuar në terren 800 burra në një aksion të vetëm - sulmi kundër fshatit Dukat, bastion i Ballit Kombëtar. Megjithë përfshirjen e një numri të madh fshatarësh, partizanëve u është bashkangjitur një numër i konsiderueshëm të rinjsh që i përkasin klasës së rrogëtarëve, si për shembull, mësues shkollash dhe nëpunës bashkish. Ky eksod nga fronti i tyre i punës duhet të ketë marrë përmasa të mëdha, ndërsa gjermanët lëshuan një paralajmërim se të gjithë nëpunësit që mungojnë në vendet e tyre të punës pas 15 dhjetorit do të trajtohen si dezertorë.
Lidhja mes çështjeve ushtarake dhe çështjeve politike ruhet ngushtë nga një komitet i vogël i njohur si “STAD”. Ky ka funksione ushtarake dhe politike, varet nga komanda qendrore e partizanëve dhe cakton komandantët e batalioneve dhe të brigadave. Oficerët që komandojnë skuadra caktohen nga brenda skuadrave.
Lidhur me aftësitë luftarake të partizanëve, opinionet deri tani kanë qenë të ndryshme. Kështu, në sulmin e vitit kaluar në fshatin Dukat, partizanët, megjithëse të armatosur me pushkë, mitralozë dhe ka të ngjarë edhe disa mortaja, nuk arritën ta merrnin fshatin nën kontroll pas shtatë orë luftimesh dhe kur 300 gjermanë mbërritën atje, ata ia mbathën pas 20 minuta luftimesh, duke plagosur vetëm një ushtar gjerman. Një vëzhgues britanik raportoi përshtypjen e tij se ata janë "një bandë krejtësisht vagabondësh pa aftësi luftarake". Meqenëse, shqiptari është cilësuar për një kohë të gjatë si luftëtar, kjo sugjeron se "të rinjtë e klasës së rrogëtarëve", më të aftë në ideologji sesa në çështje lufte përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të forcave partizane. Kjo klasë është e prirur ashtu si shumica e inteligjencës së qyteteve të vogla në Ballkan ndaj doktrinave të ngurta politike, një mungese takti politik dhe një komunizmi më pak të bazuar në të kuptuarit e Karl Marksit sesa një frustracioni të lindur për shkak të paaftësisë së vendeve të prapambetura për të siguruar shpërblime dhe njohje meritash dhe përmes tyre rrogën sipas titullit që kanë.
Nga ana tjetër, "aftësitë e shkëlqyera luftarake" të shumë formacioneve partizane u lavdëruan nga Zoti Çurçill në Dhomën e Komunëve nëntorin e vitit të kaluar dhe pas kapjes së brigadier Davies në janar, deklarata zyrtare britanike veçoi disa liderë partizanë si "heronj tipikë të shpirtit luftarak të Skënderbeut dhe luftëtarëve të tij".
Një prej kritikave më të rënda ndaj partizanëve vjen nga një burim amerikan në vend që përmend se "ata janë plotësisht përgjegjës për luftën civile dhe për ndërprerje të aksioneve kundër gjermanëve". Sulmet e tyre kundër bashkëpatriotëve dhe banesave të bashkëpatriotëve mendohet se e kanë detyruar Ballin Kombëtar, nga pikëpamja ushtarake një organizëm më i dobët, të ketë momentalisht një rol varësie ndaj mbështetjes gjermane. Duket se nuk ekziston as edhe dyshimi më i vogël se shumë mbështetës të Balkom-it, të cilët dëshirojnë të mbështesin britanikët dhe amerikanët u druhen më shumë sulmeve nga skuadrat të partizanëve kundër tyre sesa sulmeve gjermane për çlirimin e vendit. Për këtë arsye, nuk mund të hamendësohet se rangu dhe njerëzit e duhur janë domosdoshmërisht partizanët. Në të vërtetë, sulmet me zjarrhedhëse kundër fshatrave pranë qendrave të tyre sugjerojnë se mbështetja për partizanët është tejet e kufizuar lokalisht.
Ajo që sërish konsiderohet dis-avantazh i partizanëve është fakti se shumë prej liderëve të tyre politikë dyshohet se nuk janë shqiptarë dhe se ata luajnë një rol të konsiderueshëm në Balkom dhe propagandën e frymëzuar nga gjermanët. Kështu, Dushani besohet se është malazez, Miladin Popoviçi dhe Suloviçi serb, Gjerges dhe Dhima grekë, ndërsa Pirusheffi dhe Soronovski maqedonas. (Këtyre emrave të tjerët u referohen pa dallim si drejtues të LANÇ-it dhe liderë komunistë). Meqenëse Shqipëria në të kaluarën ka mbrojtur me vështirësi veten nga ambicionet territoriale të fqinjëve të saj, ky është, për fat që keq, një gabim trashanik me pasoja psikologjike. Jeta e Shqipërisë si një vend i pavarur është kaq e shkurtër dhe e ndërlikuar dhe e ardhmja e saj shfaqet kaq e pasigurt, saqë nacionalizmi është ende një çështje therëse. Në të vërtetë, një prej çështjeve kryesore të ngritura nga lufta civile është fakti nëse duhen të renditen të parat kushtet sociale apo integriteti i kombit. Partizanët, megjithëse planet e të cilëve për reforma agrare dhe ndryshime të ngjashme janë të arsyeshme në vetvete dhe pranohen nga shumica e shqiptarëve, nuk kanë treguar mençuri të madhe politike duke i parashtruar ato. Vendi nuk e ka ndjerë veten si një e tërë në mënyrë që partizanët të realizonin këto reforma më shumë në kuadër të një Shqipërie të lirë dhe të pavarur sesa një vendi ballkanik të mjegulluar nga dominimi sllavo-sovjetik.
Kjo duhet ngulitur në mendje sa herë që ekziston një tendencë kur mendojmë se politika shqiptare ndahet mes pro-gjermanëve dhe pro-aleatëve. Kjo ndarje ekziston megjithëse pro-gjermanët janë padyshim të paktë, por kjo nuk është gjithmonë një politikë efektive ditë pas dite. Megjithëse pro-gjermanët janë të paktë dhe pro-aleatët janë të shumtë, këta të fundit gjendet në grupe të ndryshme – disa, madje, brenda qeverisë, shumë prej tyre mes rangjeve të Balkom-it, zogistëve dhe më pak ekstremistëve në radhët e partizanëve. Por, ata janë shpërndarë si ato shufrat e hekurit që kërkojnë mangetin e një zbarkimi aleat apo në rastin më të keq të një politike aleate për të cilën ata mund të grumbullojnë mbështetje popullore mbi bazat e vetëkënaqësisë.
Pjesa më aktive e partizanëve është larg të qenit pro-aleatëve, me përjashtim të admirimit të tyre të fortë për Bashkimin Sovjetik. Ata sulmojnë Britaninë kapitaliste dhe Amerikën, sikurse Gjermaninë naziste. Një qarkore e gjatë që mendohet të jetë lëshuar nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare në nëntor 1943 dhe më vonë e ribotuar nga Balkom-i, pretendonte se anglo-amerikanët kishin kontribuar shumë pak për luftën kundër ushtrisë gjermane dhe se çdo lidhje me ta kishte pak vlerë pasi politikat e tyre si në të kaluarën bazohej në interesa personale. Qarkorja nuk jepte impresione lidhur me praninë e misioneve britanike, por komentonte: "Në shumë provinca ka misione angleze që përpiqen të fusin hundët në çështjet e brendshme politike dhe veçanërisht në çështjen e organizimit tonë ushtarak. Ata orvaten të bashkohen me reaksionarët, t'i organizojnë ata në mënyrë që t'i përdorin si vegla për një zbarkim të mundshëm. Ne duhet të mbajmë një qëndrim të mirë ndaj britanikëve, por gjithashtu edhe një qëndrim të prerë. Ata nuk duhet të përzihen me punët tona të brendshme."
Pasi sugjeronte se britanikët po përpiqeshin të rritnin prestigjin e Balkom-it "për të luftuar gjermanët në mënyrë që t'i kenë në varësi në të ardhmen, kërkohet që çdo informacion lidhur me aktivitetet e tyre duhet t'i përcillet shtabit tonë të përgjithshëm dhe në rast se zbulohet ndonjë dokument i rëndësishëm apo personel, atëherë duhet t'i dërgohet personelit të misionit britanik përmes shtabit tonë të përgjithshëm".
Pjesa më e madhe e këtij materiali, sidoqoftë është provokues. Ekstremistët shqiptarë qëndrojnë në pozita të ngjashme me liderët e hershëm bolshevikë. Me mungesën e një mbështetjeje nga jashtë, me një organizatë të ashpër dhe të gatshme dhe me një kërcënim të vazhdueshëm për tu shfarosur nga një ushtri e huaj, me mbështetjen e bashkëpatriotëve të tyre, sjellja e tyre është ekstremisht e ashpër. Ata nuk i kanë siguruar akoma shërbimet e një shtetari finok dhe të një vizionari për të krijuar një lëvizje që do të kënaqte qoftë nacionalistët, qoftë reformatorët socialë.
Vijon në numrin pasardhës
Materiali është marrë nga arkiva britanike për Luftën e Dytë Botërore. Agjentët anglezë rrëfejnë misionet e tyre në Shqipëri
3 Nentor 2009