Moshat pediatrike, fluks infeksionesh respiratore
Nga rezultatet e fundit, në moshat pediatrike vihet re një fluks i lartë i infeksioneve respiratore sidomos në Repartin e Urgjencës në QSUT, ku numri i mostrave vazhdon të jetë mjaft i ulët. Kjo gjë nuk lejon pasqyrimin e situatës aktuale në moshat pediatrike për A(H1N1). ISHP-ja bën të ditur se poliklinikat, sidomos ato të rrethit të Tiranës, gjatë javëve të fundit kanë ulur jashtëzakonisht vigjilencën dhe nuk dërgojnë apo raportojnë më mostra. Nga rrethet e tjera të vendit numri i marrjes së mostrave ka rënë ndjeshëm pavarësisht se numri i infeksioneve repsiratore është i konsiderueshëm. Në 70% të skedave të plotësuara nuk shënohen shenjat klinike apo sindromat e përcaktuara, gjë e cila ul cilësinë e raportimit dhe lë mangësi për gjykimin e situatës. Laboratori i Virologjisë në ISHP ka filluar analizimin e mostrave në vend me metodën e RT-PCR, në një laborator të adaptuar për këtë qëllim. Megjithatë laboratori pranë Institutit Kantakuzino në Rumani, nëpërmjet një specialisti të aprovuar nga OBSH-ja po shërben për të kontrolluar cilësinë pranë laboratorit të ISHP-së. Ndërkohë, në këtë laborator kryhet testi i Imunofluoreshencës Direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh
ISHP-ja ka mbledhur deri tani rreth 943 mostra në të gjithë vendin, ku numrin më të lartë e zënë mostrat e marra tek fëmijët e vegjël. Specialistët shprehen se fëmijët janë më të rrezikuarit nga problemet me rrugët e frymëmarrjes dhe ata duhet të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Në të kundërt, ata do jenë më të rrezikuar nga prekja e gripit të zakonshëm si dhe nga prekja me virusin A H1N1. Ditë e fundit, në Spitalin Pediatrik të Tiranës, ka pasur një fluks të madh të pacientëve të vegjël që paraqiten me të tilla simptoma. Numri i tyre ka kaluar mbi 250 persona në ditë. Ndërkohë që ende nuk është kryer vaksinimi i tyre, pasi qytetarët këtë vit nuk u janë drejtuar farmacive për marrjen e vaksinës së gripit të zakonshëm. Ata e kanë shpjeguar me faktin se po presin ardhjen e vaksinës kundër gripit pandemik, duke pasur parasysh se ky virus është më i rrezikshëm.
3 Nentor 2009