Athina në kundërsulm: “Shkupi shkeli i pari Marrëveshjen”
Pas vendimit të qeverisë maqedonase për t’iu drejtuar Gjykatës së Hagës, Athina kaloi në kundërsulm duke akuzuar Shkupin se ishte ai i pari që shkeli marrëveshjen e ndërmjetme. “Shkupi e fsheh se vetë Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka shkelur që më parë me të dyja këmbët një sërë nenesh, detyrimesh themelore, që parashikohen qartë në atë Marrëveshje, por edhe parimin themelor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, - thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Deklarata e konsideron lëvizjen e qeverisë maqedonase për të filluar procedurën gjyqësore në Gjykatën e Hagës “si një vazhdim të taktikës së preferuar të kryeministrit Gruevski”, duke i ngarkur atij edhe përgjegjësinë për refuzimin e paketës së fundit të negociatorit Nimiç. Pala greke duket se do ta shfrytëzojë procesin në Hagë për të paraqitur argumentet e veta, që, sipas deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, “do të dëshmojnë shkeljet e sipërpërmendura nga ana e qeverisë maqedonase”. Sipas mediave, “Shkupi synon që ta zhvendosë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga çështja e emrit, në atë të anëtarësimit në NATO”, mirëpo, siç vënë në dukje, “bllokimi i anëtarësimit nuk erdhi si rezultat i vetos greke, por si një qëndrim i përbashkët i aleatëve të NATO-s”.
DEKLARATË
Organizatat shqiptare: Qeveria të kundërshtojë planin 6-pikësh për Kosovën
Ne, përfaqësuesit e Rrjetit të Organizatave Shqiptare, me anën e kësaj deklarate i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të kundërshtojë fuqimisht planin 6-pikësh të propozuar nga Ban Ki Mun. Ky plan përbën një shkelje të hapur të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe kërcënon rëndë interesat e shqiptarëve në rajon. Ne dënojmë ashpër heshtjen e gjatë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe kërkojmë që qeveria shqiptare të marrë përsipër përgjegjësinë historike dhe kushtetutese që dikton momenti. Kujtojmë sot, në dhjetëvjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë, që në hyrjen e saj është paraqitur qartë detyra dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar për të punuar për prosperitetin e të gjithë kombit dhe për realizimin e aspiratës shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe
bashkimin kombëtar. Prandaj Qeverisë shqiptare i kërkojmë që menjëherë të marrë qëndrimin se çdo hap në drejtim të ndarjes së Kosovës do të rikthejë për diskutim çështjen shqiptare në Republikën e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbinë e Jugut për të mundësuar bashkimin kombëtar shqiptar si imperativ i kohës dhe detyrë kushtetuese e çdo qeverie në fuqi në Republikën e Shqipërisë. I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve dhe partive politike të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë të ngrihen mbi interesat personale dhe të dëshmojnë përgjegjësinë para popullit shqiptar. I kërkojmë fuqimisht shefit të diplomacisë europiane Haver Solana dhe autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë të ndërpresin çdo hap që cenon pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Rrjeti i Organizatave Shqiptare (“Klubi Kombëtar Shqiptar”, “Shoqata Çamëria”, “Lëvizja Vetëvendosje”, “Instituti Liberal Shqiptar”, “Çohu”, “Mjaft”, “Ora”, “Asan”, “Inpo”, “KDNJ”, “Në Dobi të Gruas Shqiptare”, “Qendra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim”, “Lëvizja Studentore e Vlorës”, “Rrjeti Rinor i Kosovës”, “Unë Gruaja”, “Unitas”).
19 Nentor 2008