Rama takon banorët e Minibashkisë Nr.7 në kryeqytet
Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe drejtues të sektorëve më të rëndësishëm të saj bashkëbiseduan me komunitetin lidhur me projektet që duhet të realizohen në territorin e Minibashkisë Nr. 7 në kryeqytet. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e pranishëm, kryebashkiaku Rama bëri një prezantim të përgjithshëm të punës dhe projekteve që Bashkia e Tiranës ka realizuar dhe objektivave që synohen të arrihen përmes procesit të dëgjesave publike. Banorët do të vendosin vetë se si duhet të ndahet buxheti dhe ku duhet të investohet gjatë vitit 2009, nëpërmjet votimit, duke shprehur problemet e zonës së tyre. Rama u shpreh se prioritet për këtë vit do të ketë projekti i rikualifikimit urban në ndërtimin e shesheve apo parqeve të pushimit për çdo moshë. Këto ndërtime do të kenë një shtrirje nga qendra në periferi të tilla si te sheshi pranë “Ushtarit të Panjohur” apo te “Xhammlliku”. Sipas tij, ky transformim bëhet në vazhdën e traditës më të mirë të monopoleve të mëdha. Në territorin e Minibashkisë Nr. 7 do të rikualifikohet sheshi te “21 Dhjetori”, hapësira ndërmjet pallateve në bllokun “Partizani”, sheshi në pistën e aviacionit. Gjatë hartimit të buxhetit 2009 po lançohet edhe nisma më e fundit e Bashkisë së Tiranës. Kjo nismë është Fondi i Komunitetit, i cili do të krijohet nga investimet e qytetarëve të Tiranës, me vlerë 10 për qind të buxhetit. Ky fond do të kapë shifrën e 3 milionë dollarëve ose 260 milionë lekëve të reja, që do të caktohen direkt nga votimi i qytetarëve dhe do të shpërndahen sipas këtij votimi për mirëmbajtje, trotuare apo lulishte të vogla.
QSUT, thyhet rregullorja për oraret e vizitave në spitale
Kushdo që kërkon të futet në një nga dhomat e spitaleve në QSUT është i lirë të veprojë sipas dëshirës. Kjo gjë ndodh në spitalin më të madh të vendit, në QSUT. Oraret e vizitave, që janë vendosur me rregullore nga Drejtoria e QSUT-së, nuk respektohen dhe kushdo që kërkon të bëjë një vizitë te pacientët është i lirë të hyjë dhe të dalë në çdo orë të ditës dhe të natës, pavarësisht orareve të përcaktuara. Një situatë e tillë ndodh rëndom në QSUT dhe shpeshherë është bërë shkak për incidente, pasi në oraret e vona të mbrëmjes mund të hyjë kush të dojë dhe të bëjë çfarëdolloj veprimi. Madje, mjekët shprehen se shpeshherë ndihen të rrezikuar sepse në ambientet e spitalit mund të hyjë edhe dikush që kërcënon. Rregullorja e QSUT-së parashikon orare vizitash për të gjithë pavijonet. Në çdo hyrje kryesore janë afishuar oraret se kur mund të kryhen vizita te të afërmit. Oraret e vizitave përcaktohen nga çdo pavijon dhe janë të ndryshme, por të gjitha fillojnë nga ora 10 e paradites e deri në orën 18.00 të mbasdites.
19 Nentor 2008