E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosnjohja e afatit të studimeve, studentët rrezikojnë humbjen e tyre



Mosnjohja e rregullores së universitetit ku ndiqen studimet në mjaft raste është bërë shkak që studentët të humbasin të drejtën e studimit. Në këto kushte ndodhen studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës, të cilët i kanë nisur studimet sipas sistemit 4-vjeçar dhe duhet t’i përfundojnë ato brenda vitit akademik 2010-2011. Ky afat i vendosur nga rektorati i këtij universiteti është kundërshtuar nga studentët e Politeknikut, pasi ata nuk munden që brenda këtij harku kohor t’i marrin provimet e mbetura. Duke qenë se afati për kohëzgjatjen e studimeve përcaktohet nga vetë universitetet, Senati i Politeknikut i ka kërkuar organeve drejtuese të tij, që këta studentë t’i përfundojnë studimet në vitin akademik 2011-2012. Nga humbja e të drejtës së studimit ose kalimi me sistemin e Bolonjës rrezikohen edhe mjaft studentë të universiteteve të tjera të vendit. Por kohëzgjatja e studimeve të larta në universitet publike të vendit nuk është e palimituar, por e përcaktuar në rregulloret përkatëse të universiteteve. Megjithëse në ligjin për arsimin e lartë nuk janë përcaktuar afatet për përfundimin e studimeve, në rregulloren dhe statutet e universiteteve këto afate janë të vendosura. Në rastet kur këto afate nuk zbatohen për arsye të ndryshme nga studentët, këta të fundit e humbasin të drejtën e studimit. Afati maksimal i përcaktuar për përfundimin e studimeve të plota universitare në Universitetin e Tiranës është deri në dyfishin e afatit të rregullt. Studentët që nuk arrijnë të përfundojnë studimet brenda këtij afati maksimal, humbasin të drejtën e vazhdimit të studimeve. Po ashtu, të drejtën e vazhdimit të studimeve e humbasin edhe studentët, të cilët shpallen përsëritës të të njëjtit vit akademik tri herë. Afati maksimal i mbrojtjes së diplomës është deri në tre vjet nga koha e përfundimit të studimeve të plota. Brenda këtij afati, studenti ka të drejtë të provohet për mbrojtje teme ose provim formimi deri në katër herë. Studenti mund të ndërpresë studimet në çdo kohë të vitit, për një afat jo më tepër se tre vjet dhe vetëm për këto raste: kur sëmuret për periudha të gjata, të dokumentuara me raport nga komisioni mjekoligjor, ku të jenë shprehur qartë diagnoza e rekomandimi; kur mbetet kryefamiljar, në raste fatkeqësish e në kushte ekonomike të vështira, të dokumentuar nga zyrat e pushtetit lokal; kur, për arsye ekonomike, detyrohet të punësohet jashtë vendit, i justifikuar me dokumentet përkatëse. Ndërprerja e studimeve për një vit bëhet me lejen e dekanatit, kurse për afate më të gjata (deri 3 vjet) bëhet me miratimin e rektoratit, në bazë të propozimit të dekanatit. Studenti paraqet kërkesën për leje në dekanat si dhe dokumentet e tjera. Ndërprerja e studimeve është e rregullt kur ai merr miratimin e kërkesës së tij nga organi përkatës. Në të kundërt, studenti mban vetë përgjegjësi për rrjedhojat e mundshme. Rikthimi i studentit, pas ndërprerjes së justifikuar të studimeve, bëhet vetëm në fillim të çdo semestri dhe jo më vonë se dy javë nga fillimi i tij.
J.Tashi

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›