Obama dhe Mekein takohen për herë të parë pas zgjedhjeve
Presidenti i zgjedhur Barak Obama dhe ish-rivali i tij republikan Xhon Mekein zhvilluan takimin e tyre të parë në Çikago që prej zgjedhjeve të 4 nëntorit. “Duhet të bisedojmë shtruar mbi mënyrën se si mund të punojmë bashkarisht për të zgjidhur problemet e vendit. Dua gjithashtu të falënderoj senatorin Mekein për shërbimin e shkëlqyer ndaj vendit”,- u shpreh presidenti Obama.
Gazetarët e pyetën senatorin Mekein nëse ai kishte ndërmend të ndihmonte administratën e presidentit Obama, pyetje së cilës senatori Mekein iu përgjigj vetëm me një fjalë: “Natyrisht”.
Medvedev kundërshton republikën parlamentare
Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, është shprehur kundër republikës parlamentare pasi ajo do të ishte fatale për vendin. Lideri i Kremlinit ka propozuar disa modifikime konstitucionale, të cilat do të hidhen sot në votim nga Duma. Në rast se këto modifikime aprovohen, mandati presidencial në këtë vend do të zgjatet nga katër vjet në gjashtë, nga katër në pesë mandati i deputetëve dhe qeveria në këtë rast duhet t’i japë llogari Dumës për çdo veprim.
19 Nentor 2008