E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrirja e EULEX-it, Prishtina gati katër kushte

Kushtet, kundërpërgjigje ndaj planit 6-pikësh të OKB-së. Frid: “Qëndrimet e Prishtinës, platformë e mirë për të vazhduar përpara”

EULEX-i mund të shtrihet në Kosovë vetëm nëse zbaton një plan prej katër pikësh të hartuar nga autoritetet kosovare. Këto pika vijnë si një kundërpërgjigje ndaj planit gjashtëpikësh të propozuar nga kreu i OKB-së, Ban Ki Mun, i cili ka marrë parasysh kërkesat e Serbisë. Megjithatë, Kosova e ka hedhur poshtë këtë plan duke e konsideruar të papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe planin “Ahtisari”.
Në dokument u parashtruan këto pika:
“1-Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në Kosovë sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të katër shkurtit 2008 dhe ftesën e bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës .
2- Institucionet e Kosovës e refuzojnë në tërësi dokumentin gjashtëpikësh.
3- Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in në tërë territorin e Kosovës në bazë të mandatit sipas dokumenteve të lartpërmendura, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.
4- Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë si gjithmonë me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n.
Propozimet e Prishtinës iu prezantuan zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit Daniel Frid dhe përfaqësuesit ndërkombëtar Piter Feith. Pikat u lexuan nga presidenti Fatmir Sejdiu, i cili tha se qëndrimet e Prishtinës prezantojnë pozicionin e institucioneve të Kosovës mbi bazën e të cilave misioni i BE-së mund të fillojë shtrirjen në të gjithë territorin e Kosovës. Megjithatë, Presidenti ka shprehur pakënaqësinë në lidhje me planin e propozuar ditë më parë por ka shprehur bindjen për bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare. “Institucionet e Kosovës refuzojnë dokumentin gjashtëpikësh, institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in për vendosjen në tërë territorin dhe si gjithmonë do të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n”, - tha Sejdiu, duke prezantuar pozicionin e Prishtinës zyrtare. Diplomati amerikan Daniel Frid u shpreh se qëndrimet e Prishtinës do t’i paraqesë tani në Gjenevë tek autoritetet e Kombeve të Bashkuara dhe i konsideroi pikat e propozuara nga Prishtina si një platformë e mirë për të vazhduar përpara. Megjithatë, sipas tij, ka ende gjëra që duhen harmonizuar për të parë nëse do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, që do t’i mundësonte EULEX-it fillimin e misionit në Kosovë.

Thaçi: “Beogradi, përgjegjës”. Jeremiç: “Nuk flasim për ndarje”

“Beogradi duhet të pranojë se tashmë Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik”, - kështu është shprehur për gazetën serbe “B92” kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, dokumenti gjashtëpikësh për vendosjen e EULEX-it është i papranueshëm për Kosovën dhe misioni i Bashkimit Europian është i pranueshëm vetëm në pajtim me planin e Marti Ahtisarit. “Beogradi nuk ka kompetenca në Kosovë dhe këto tendenca të Beogradit duhet të harrohen njëherë e përgjithmonë”, - ka shtuar ai. “EULEX-i ka mandat të plotë dhe përkrahjen e plotë të të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë dhe është pritur mirë nga ana e Prishtinës. Kemi bashkëpunim të ngushtë, mirëpo nuk do të pranojmë kushte të reja për vendosjen e EULEX-it. EULEX-i ka mandat të plotë dhe këtë mandat ne e mbështesim në tërësi. Ne jemi partnerë”, - ka përfunduar Thaçi. Ndërkohë, shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se ndarja e Kosovës nuk është në tavolinën e bisedimeve dhe nuk është temë e diskutimit në gjashtë pikat e planit të shumëpërfolur. Ai po ashtu ka shtuar se misioni EULEX mund të marrë përgjegjësi të caktuara nga UNMIK-u, por vetëm nëse kjo është në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›