E Diel, 1 Nëntor 2026

Athinë, arrestohen tre falsifikatorë shqiptarë

Nga dokumentet e sekuestruara

Policia e Athinës ka arritur të shkatërrojë një rrjet të sofistikuar falsifikimi dokumentacionesh shqiptare dhe greke. Tre shqiptarë me emrat Artur M, Alket R dhe Mihallaq S, dy prej të cilëve nga Gjirokastra dhe një nga Shkodra, janë personat mbi të cilat rëndon vepra penale e falsifikimit të çdo lloj dokumenti shëndetësor, arsimor, identifikues, kualifikues dhe pensioni që ka egzistuar dhe egziston në Republikën e Shqipërisë apo dhe disa dokumente në Greqi. Arrestimi i tre shqiptarëve të moshës nga 34-54 vjeç, është trumbetuar si një sukses për Policinë Greke e cila ka mundur të zbulojë me këtë rast, të gjithë mekanizmin që përdorej për përfitim të paligjshëm të pensioneve të invaliditetit dhe të pleqërisë në Greqi, nga persona që nuk u takonte kryesisht me shtetësi dhe kombësi shqiptare.

Operacioni është zhvilluar në një banesë në lagjen “Akominatu”. Ajo cfarë ka habitur policët dhe specialistët e falsifikimit në Athinë, ishin dokumentet pothuajse identike të pensionit që i përkasin shtetit shqiptar apo dhe të rimbursimit mjekesor ne Greqi. Në banesën ku kryheshin aktet falsifikuese, janë gjetur 177 vula të ndryshme (të zyrave të ndryshme në Shqipëri dhe Greqi), mijera pulla shqiptare dhe greke, certifikata bashkiake, certifikata mjekësore, patenta ndërkombëtare, dëftesa lirimi të shkollave 8-vjeçare apo dëftesa gjimnazi të para viteve 90.

Pas arrestimit të tyre, tre falsifikatorët treguan se veç asaj që u zbulua, egzistonte edhe një tjetër banesë si dhe një bar-kafe që përdorej nga ta për falsifikime. Janë gjetur dhjetra transaksione pagese të kompanise greke të lotarisë sportive OPAP, në vlerë 186.122 euro, me qellim që të pastronin të hollat e fituara në rrugë të paligjshme. Me biletat e llotarisë sportive, falsifikatorët kishin për qëllim të justifikonin të ardhurat. Policia e Athinës, ka sekuestruar gjithashtu 4000 euro, disa celulare si dhe 1 automjet. Ndër dokumentat shqiptare të gjetura në bazën e falsifikimit, përmenden:

1-Certifikata të paplotësuara të Bashkisë Gjirokastër.

2-Dëftesa pjekurie të para viteve ’90.

3-Dëftesa pjekurie të pas viteve ’90.

4-Dëftesa lirimi.

5-Dëshmi kualifikimi të Ministrisë së Shëndetësisë Shqiptare.

6-Leje ndërkombëtare drejtim automjeti.

7-Vërtetim për lloj dhe mase pensioni të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (e firmosur nga një specialist i ISSH Tiranë me emër Irida)

Të arrestuarve u janë sekuestruar edhe, 1 pasaportë biometrike shqiptare, 2 pasaporta të vjetra shqiptare, 1 pasaporte greke, 1 pasaporte letoneze, 1 kartë greke e homogjenit. Gjthashtu janë sekuestruar, printer e skaner, si dhe disa pajisje për përpunimin e vulave, si dhe 2 kartmonedha rumune (LEU).

Piro Nase

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›