E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishëm, gjenden trupat e dy të rinjve të mbytur

DURRES- Polumbarët e forcave RENEA kanë mundur të gjejnë trupat e dy të rinjve që u mbytën në lumin Ishëm, Durrës, një ditë më parë.

Mësohet se polumbarët nga kërkimet intensive të ditës së sotme, pas rreth 8 orësh kanë nxjerrë në sipërfaqe trupat e 20-vjeçarit, Ervis Saliu dhe të 18- vjeçarit,  Elson Sineimati.

Dy të rinjtë kanë qenë duke mbledhur kanoçe  dhe bidonë plastikë për të siguruar të ardhura për familjet e tyre, ndërsa i ka marrë rrjedha e lumit. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Ishëm, Durrës, ku në lumin që përshkon këtë fshat u mbytën Elson Sineimati dhe Ervis Saliu, 18 dhe 20 vjeç.

Sipas të dhënave të dëshmitarëve në vendngjarje, ata kanë rënë brenda në lumë dhe nuk kanë mundur të dalin dot më prej tij. Policia bëri të ditur se viktimat ishin duke mbledhur anës lumit kanoçe dhe bidonë plastike, që më pas i shisnin. Ervisi dhe Elsoni, kunetër me njëri-tjetrin nuk kanë qenë të vetmit që ishin duke kërkuar për kanoçet. Bashkë me ta ishin edhe tre persona të tjerë, një vëllai i njërit prej viktimave.

POLICIA
Për mbytjen e dy të rinjve nga Ishmi, Policia e Durrësit bëri të ditur se e ka regjistruar si ngjarje aksidentale, e cila ka ndodhur nga pakujdesia. Ata janë dy viktimat e para për këtë vit në qarkun e Durrësit që gjejnë vdekjen nga mbytja. Ndërkohë, sezonin e kaluar janë regjistruar disa ngjarje aksidentale të mbytjes së të rinjve, kryesisht në det.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›