E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Me 20 prill, të zbardhim imazhin e vendit. Rama: Pastroni çbëra!

Sali Berisha - Edi Rama

Kryeministri dhe kryetari i opozitës kanë shkëmbyer replika lidhur me përgatitjet për hapjen e sezonit turistik. Kreu i qeverisë Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së është shprehur se qeveria ka shpallur datën 20 prill si ditën e Shqipërisë së pastër. Në këtë kuadër bëri thirrje që kjo ditë të shërbejë si pikë kthesë në qëndrimin ndaj mjedisit pasi plehrat tha Berisha janë problemi kryesore për turistët.

Asgjë, nuk nxin më shumë në këtë vend që ka marrë një zhvillim të gjithanshëm, sesa prania  e plehrave  të shpërndara në mënyrë shumë të shëmtuar.  Ndaj dhe do të kërkoja shumë nga ju, në bashkëpunim me qeveritë vendore, të marrim çdo masë, që me 20 prill, ta bëjmë Shqipërinë më të pastër se kurrë në historinë vetë. Të pastrojmë atë ditë, në çdo qoshe në çdo skaj të saj, u shpreh kryeministri duke shtuar se kjo përveç imazhit të vendit do të ndikojë edhe tek shëndeti.

Nga ana tjetër kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e ka cilësuar këtë nismë të qeverisë demagogji pasi nuk ka vizion apo pla për pastrimin e mjedisit. Lideri i opozitës ka reaguar në rrjetin social Tuiter duke u shprehur se qeveria pasi miratojë ligjin që i hap rrugën importit të plehrave por kërkon pastrimin e vendit. Ai ka shtuar se po kërkon edhe bashkëpunimin e qeverive vendore pasi u ka reduktuar fondet.

Mbasi e zhyti Shqipërinë në plehra e po e mbyt edhe me plehra nga jashtë shtetit, kryeministri thotë dilni në aksion në datë 20 prill pastroni ç’bëra!, shkruan Rama. Bashkitë e bëjnë përditë këtë punë, është kryeministri që i ka lënë pa fonde dhe është qeveria që s’ka asnjë vizion e plan për pastërtinë e Shqipërisë.

Rama akuzoi Berishën se nisma e tij është vjedhje, pasi ishte shoqëria civile që e shpalli për 9 maj një nismë të tillë. Kjo ishte ide e Shoqërisë Civile që e shpalli për 9 maj dhe kryeministri vrapoi ta vjedhë duke harruar se qeveria e ka këtë detyrë përditë, shkruan kreu i PS-së në Tuiter.

E ndërsa dy liderët e partive kryesore vazhdojnë lojën e përditshme, edhe këtë vit sektori i turizmit mesa duket do vazhdojë të vuajë pasojat e përvitshme, pavarësisht se konsiderohet si pika kyçe e ekonomisë së vendit.

Florenc Stafa

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›