E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë, atentat mafioz shqiptarit

Atentat mafioz në Athinë, ekzekutohet një shqiptar, një tjetër plagoset dhe i treti i shpëton mrekullisht plumbave.

Marko Caka/ ATHINE

Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës së djeshme, kur mjeti me të cilin lëviznin tre shqiptarët është gjetur nën plumba nga dy persona që po lëviznin paralel me ta, me një motoçikletë me kubizëm të madh. Mediat helene pohojnë se atentati ndaj tre shqiptarëve Ilirago Hamitaj, Tonin Kola dhe Leonard Doka është kryer rreth orës 01:50 pas mesnatës së djeshme, teksa po qarkullonin me shpejtësi të ulët në rrugën "Leoforos Sigru", numër 173, rreth dy kilometër larg qendrës së Athinës. Policia e kryeqytetit helen pohon se, tre shqiptarët në momentin e atentatit kanë qenë duke parkuar për të shkuar pastaj në një lokal striptizi, kur u është afruar motoçikleta me dy persona të maskuar me skafandra. Në moment personi që ndodhej pas motoçikletës ka qëlluar ndaj tre shqiptarëve, që ende nuk kishin zbritur nga mjeti i tyre. Si pasojë e plumbave ka humbur jetën në vend njëri prej shqiptarëve, drejtuesi i mjetit Ilirago Hamitaj si dhe është plagosur Tonin Kola, i cili ndodhej në sediljen e parë të mjetit. Ndërsa Leonard Doka, që ishte ulur pas drejtuesit të mjetit, i ka shpëtuar mrekullisht plumbave. Sipas raportit paraprak të policisë së Athinës, vrasja kishte motivet e larjes së hesapeve. Hetimet paraprake kanë nxjerrë se pak minuta para atentatit, tre shqiptarët kishin qëndruar së bashku në një kafene të lagjes pranë vendngjarjes, në rrugën "Nea Smirini". Gjatë qëndrimit të tyre, ata kishin qenë nën vëzhgimin e atentatorëve dhe sapo dolën nga lokali janë ndjekur nga pas në distancë pa i vënë re. Burimet policore dyshojnë se kundërshtarët e viktimave, që dominojnë rrugën kryesore të "Sygruse", e cila në të dy anët është e mbushur me lokale nate të striptizeve, kontrollohet nga mafia shqiptaro-greke-ruse. Këto grupe disa herë kanë shqetësuar policinë lokale, duke vënë gjoba të majme pronarëve të lokaleve të natës për mbajtje nën patronazh të biznesit të tyre. Brenda tre muajve të fundit në këtë rrugë kanë ndodhur 12 vrasje të ngjashme me Hamitajt, të karakterit mafioz, ku grupet rivale eliminojnë njëri-tjetrin. Sipas policisë greke, kohët fundit është vënë re dukuria e rivalitetit ndërmjet palëve ruse me shqiptarët, ngaqë këta të fundit kanë një dekadë që kontrollojnë trafikun e prostitutave të ardhura nga vendet e Lindjes, si dhe rrjetin e grabitjeve dhe atë të lëndëve narkotike. Pikërisht hetimet e policisë së Krimeve të Rënda të Athinës në lidhje me vrasjen e djeshme kanë filluar t'i lidhin me ngjarjet e mëparshme, në mënyrë që të zbulojnë autorët e vrasjes së shqiptarit dhe plagosjes së shokut të tij. Pritet që gëzhojat e gjetura në vendngjarje të dërgohen në laboratorin special të ekspertizës, për të përcaktuar nëse arma nga e cila u qëlluan shqiptarët ka kryer vrasje të tjera. Ekspertiza pritet gjithashtu të nxjerrë të dhëna për autorët e krimit të rëndë.

Eksplozivi
Pas ekzekutimit të shqiptarit Ilirago Hamitaj dhe plagosjes së shokut të tij Tonin Kola, rreth orës 01:50 të mesnatës së djeshme  dhe plagosjes së Leonard Dokës, në orën 04:25, disa metra më larg rrugës së "vrasjeve", siç quhet "Sigru"-ja, në rrugën "Thiseos 134" po këto grupe mafioze kanë shpërthyer një eksploziv në një palestër, pasi më parë i kishin vënë gjobë pronarit të saj dhe që ai kishte refuzuar t'ua paguante shumën e kërkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›