E Diel, 1 Nëntor 2026

Athinë, babai shqiptar mbyt foshnjën shtatëmuajshe

 

Festim Mullai ka mbytur foshnjën e tij vetëm sepse kishte lindur e paralizuar në disa gjymtyrë e probleme në veshka

ATHINË- Tmerr mes komunitetit shqiptar në Athinë teksa një 33-vjeçar vret në gjumë fëmijën e tij shtatë muajsh vetëm sepse ai kishte lindur me probleme shëndetësore. Babai është përpjekur që të fshehë krimin makabër duke e raportuar si një vdekje nga sëmundja por është tradhtuar nga shenjat e mbytjes në lëkurën e njomë të foshnjës. Pak orë më pas, ai është “dorëzuar” duke pranuar në polici se nuk mund të mbante një fëmijë të paralizuar në disa gjymtyrë dhe probleme në veshka. Pas kësaj policia ka arrestuar babanë e fëmijës, Festim Mullain, i cili banonte në lagjen “Agjiu Anargjirus” të Athinës.

Krimi

Nga hetimet e para të policisë greke është mësuar se pak pas mesnatës të së hënës babai i fëmijës ka njoftuar të vëllanë që banon në apartamentin ngjitur me të duke i kërkuar ndihmë se fëmija e tij nuk ndihej shumë mirë. Kur vëllai i Festim Mullait ka shkuar tek foshnja ka vënë re se ajo ishte e vdekur. Të dy vëllezërit kanë njoftuar spitalin dhe policinë duke thënë se foshnja kishte vdekur nga sëmundja. Por pak minuta më pas aty ka behur mjeku ligjor, i cili ka konstatuar menjëherë se fëmija kishte disa shenja të dyshimta rreth qafës. Një ekspertizë më e hollësishme ka treguar se shenjat në qafën e foshnjës vinin nga një shtrëngim i fuqishëm me duar, i cili i kishte bllokuar edhe rrugët e frymëmarrjes. Menjëherë policia greke ka arrestuar babanë e fëmijës dhe e ka dërguar në komisariat për ta marrë në pyetje.

Pohimi

Për orë të tëra 33-vjeçari Festim Mullai ka insistuar se foshnja e tij kishte vdekur nga sëmundja por më pas është dorëzuar duke pranuar gjithçka. Ai ka dëshmuar në polici se kishte vrarë fëmijën e tij sepse kishte lindur me probleme të theksuara shëndetësore. Ai ishte një fëmijë i lindur para kohe dhe për katër muaj kishte qëndruar në inkubator. Por kur kishte dalë mjekët kishin zbuluar se fëmija kishte disa gjymtyrë të paralizuar si dhe kishte probleme në veshka. Kjo gjë e kishte dëshpëruar së tepërmi të atin, i cili nuk kishte mundësi financiare që të rriste apo kuronte foshnjën. Në kushtet e depresionit ai kishte nisur që të pinte alkool pothuajse çdo ditë. Fqinjët e tij kanë pohuar në polici se shpesh herë Festim Mullai ushtronte edhe dhunë mbi bashkëshorten. Madje edhe pak orë përpara vrasjes ai kishte dhunuar të shoqen dhe ajo ishte larguar nga shtëpia për tek disa kushërinj të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›