E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre kamionë me lëndë të rrezikshme, bllokohet qarkullimi Kosovë-Shqipëri

 Kamionët dyshohet se kanë vaj disulfurik ose mbeturina nafte me përqindje të lartë sulfuri, me destinacion një fabrikë iraniane të përpunimit të vajrave në Mamushë të Prizrenit

Gjatë kontrollit të kamionëve, pas dyshimit për ngarkesën, helmohen dy policë të kufirit të SHPK-së në Vermicë dhe një doganier. Nisin hetimet për ngjarjen, fillimisht u dyshua për vaj disulfurik

KUKËS- Qarkullimi Kosovë-Shqipëri është bllokuar që nga ora 10:00 e paradites së djeshme, ndërkohë që Shërbimi Policor i Kosovës ka njoftuar se deri në një urdhër të dytë, kufiri-Kosovë-Shqipëri në pikë-kalimin kufitar Morin-Vermicë do të jetë i mbyllur. Shkak për bllokimin e pikës doganore kryesore që lidh Shqipërinë me Kosovën është helmimi i dy policëve të kufirit të SHPK-së, në Vermicë dhe të një doganieri, ndërsa këta po ushtronin kontroll në tre kamionë, që kishin deklaruar se janë të ngarkuar me vaj hidraulik. Por në fakt ka rezultuar se lënda që ata transportonin ishte e rrezikshme për jetën e njerëzve dhe për ambientin. Pas verifikimit është arritur në përfundimin se në kamionë kishte 60 ton mbeturina nafte të përpunuar nga Irani. Mësohet se lënda do të dërgohej për t’u përzierë me lëndë të tjera dhe do të shitej si benzinë. Ajo cilësohet se rrezikshme, pasi përqindja e sulfurit në të është mbi 19.

Bllokohet dogana

Qarkullimi Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas realizohet vetëm përmes pikave të kalimit kufitar të Qafë-Prushit në rrethin e Hasit dhe përmes Qafë-Morinës në rrethin e Tropojës, si dhe përmes pikave këmbësore në Orgjost dhe Shishtavec të Kukësit. Sipas njoftimit zyrtar të Shërbimit policor të Kosovës mësohet se në terminalin doganor gjenden tre kamionë që dyshohet të jenë me materie të rrezikshme. “Kamionët erdhën mbrëmjen e së hënës nga Maqedonia përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, për nëKosovë. Fillimisht ndaluan në Qafën e Duhlës, në aksin rrugor Prishtinë-Prizren”- thuhet në njoftimin zyrtar, ku shtohet se policia i ka dërguar në terminalin e Vermicës, pasi rezultuan pa dokumentacionin shoqërues. Ndërkohë për vendimin në fjalë autoritetetpolicorë në Kosovë kanë njoftuar edhe policinë e kufitare të Kukësit. Me të marrë njoftimin, drejtues të Rajonit të Kufirit në Kukës kanë vendosur kontakte me homologët e tyre në Kosovë ku janë informuar për këtë ngjarje, ndërkohë që policia ka ngritur postblloqe në dalje të qytetit, në aksin rrugor Kukës-Morin, ku ka kthyer mbrapsht të gjithë automjetet që kishin si destinacion Kosovën. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në anën e Kosovës, ku postblloqe policore janë vendosur në fshatin Shkozë, rreth 3kilometra pa mbërritur në Vermicë, duke bllokuar lëvizjen në drejtim të Shqipërisë.

Ngjarja

Në bazë të një faksi të mbërritur në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare në Kukës sqarohen rrethanat e kësaj ngjarjeje, që ka helmuar tre persona dhe ka krijuar panik në pikë-kalimin Morin-Vermicë. Mësohet se drejtuesit e automjeteve të bllokuar, që ishin shtetas bullgarë kanë deklaruar se kanë të ngarkuar vaj hidraulik për automjete, që e kanë ngarkuar në Bullgari me destinacion një fabrikë iraniane të prodhimit të vajrave në fshatin Mamushë të Prizrenit. “Në Hanin e Elezit punonjësit e doganës, por edhe ata të policisë kanë dyshuar në ngarkesën e mallit, pasi mbante erë të rëndë, por kanë lejuar që kamionët të vazhdojnë rrugën për në destinacion, në Mamushë të Prizrenit”,- thonë burimet policore. Por gjatë rrugës për në Mamushë, pikërisht në Qafën e Duhlës, në aksin rrugor Prishtinë-Prizren, një postbllok policie ka ndaluar kamionët për një kontroll rutinor. Gjatë kontrollit të dokumentacionit, zyrtarët policorë kanë filluar të dyshojnë në këtë ngarkesë dhe kanë thirrur në vendin e ngjarjes edhe shefin e pikës doganore të Vërmicës, zotin Bujar Shatri. Me rekomandimin e Shatrit, këta tre kamionë janë dërguar për verifikim të mëtejshëm në terminalin Doganor të Vërmicës.

Helmimi i policëve

Po dje, pas fillimit të orarit zyrtar të punës kanë filluar proceduarat për kontrollin e mallit, nga dy policë dhe një punonjësitë doganës. Sapo kanë filluar kontrollin tre punonjësit janë përballur me një erë të rëndë të squfurit. Era e rëndë është përhapur me shpejtësi në të gjithë territorin e doganës, por është ndjerë deri në Morin. Ndërkohë që tek punonjësit e kontrollit kanë filluar dhimbjet e forta të kokës në pjesët e prapme, pasuar me të vjella. Simptomat e dhimbjes së kokës dhe të vjellave janë shfaqur edhe tek policët dhe punonjësit e tjerë të pranishëm në Vermicë, por në përmasa më të vogla. Tre punonjësit e helmuar më rëndë janë përcjellë urgjent për në spitalin e Prizrenit, ku pas marrjes së mjekimit janë jashtë rrezikut për jetën. Policia ka bllokuar menjëherë vendin e ngjarjes dhe qarkullimin në kufi. Pas kësaj, të gjithë punonjësit janë pajisur me maska.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›