Athinë, ekzekutohet me kallash emigranti
• ATHINE – Ekzekutohet në mes të Athinës 23-vjeçari sarandjot, Enea Kalemi.Një sasi e madhe plumbash automatike është qëlluar mbi trupin e të riut, nga një person i cili sipas policisë greke njihej si mik i viktimës. Ngjarja, sipas të dhënave të policisë greke dhe të agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, ka ndodhur rreth orës 21:30 të së dielës, në zonën “Kolono”, në rrugën “Palamidhiu”, në Athinë. Enea Kalemi ishte duke blerë cigare në një kioskë në këtë lagje, kur një person i është afruar duke e qëlluar pa paralajmërimin me breshëri plumbash. Si pasojë e goditjeve të shumta, 23-vjeçari ka humbur jetën në vend. Menjëherë ka mbërritur në vendngjarje policia, ekspertët e së cilës kanë gjetur e sekuestruar aty 20 gëzhoja nga dy lloje armësh të ndryshme. Sipas tyre, në vrasje ka marrë pjesë vetëm 1 person, por ai ka përdorur në krim dy lloje armësh zjarri. Nga pyetja e dëshmitarëve gjithashtu është mësuar se autori kishte zënë pritë dhe kishte pritur momentin më të përshtatshëm për të qëlluar ndaj emigrantit 23-vjeçar shqiptar. Policia greke po punon intensivisht për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorit përgjegjës. Nga deklarimet e bëra dje është pohuar se autori është identifikuar tani, pasi ishte një mik i viktimës. Nisur nga kjo e dhënë, policia ka hedhur dyshimet se vrasja ka ardhur pas ndonjë sherri të lindur për çështje trafiku. Mënyra e ekzekutimit është cilësuar si larje hesapesh mes tyre, ndonëse nuk dihet nëse policia i kishte të skeduar në vepra të mëparshme penale dy personat. Policia e Sarandës, për këtë rast ka pohuar se Kalemi rezulton në dosjet e saj si një person i dënuar në 2003 për vjedhje në bashkëpunim. Pas kryerjes së dënimit prej rreth 2 vitesh ai ka emigruar në Greqi, ku jetonte bashkë me familjen pas shpërnguljes nga lagjja 3 e Sarandës. Pritet që trupi i të riut të transferohet për t'u varrosur në vendlindje, ndonëse deri dje nuk është konfirmuar ky fakt.