“Ju rrëfej “PAMECA”-n, misionin që u bë ombrellë e politikës”
• “E dija që “PAMECA” nuk shprehte të vërtetën për realitetin shqiptar, por zbulimi që keni bërë se të njëjtët kanë kopjuar dhe përshtatur raportin e policisë së Bangladeshit duke e shitur si një raport për policinë shqiptare, është tepër skandaloz dhe tallës”.Ferdinand Dervishi Njeriu që shqipton këto shprehje quhet Artan Didi, dhe është një nga personazhet më të njohur të policisë shqiptare. Ka praktikisht një jetë në polici, si dhe një karrierë të filluar në forcat speciale dhe të përfunduar si drejtor i Rendit dhe Sigurisë Publike në vitet 2003-2004. Falë rotacionit politik tashmë ai është një i papunë, situatë e krijuar që në momentin, që në dorë i rrasën një mandat degdisjeje në Tropojën e largët. Ndjekës i kujdesshëm i të gjithë zhvillimeve që kanë të bëjnë me politikat e policisë, komisari i njohur kishte qenë në të njëjtën linjë me gazetën, pasi në të njëjtën kohë kishte përgatitur një material ku i bënte një analizë pikërisht veprimtarisë së “PAMECA”-s në Shqipëri. Pikat kryesore të së cilit ai pranoi t’i pohonte për “Panorama”-n.Zoti Didi, si ju duk zbulimi i gazetës sonë, sipas të cilit misioni policor “PAMECA”, kishte kopjuar raportin për policinë e Bangladeshit duke e përshtatur për policinë shqiptare pothuaj në 70 për qind të totalit?Zbulimi i “PANORAMA”, ishte vërtet për t’u lavdëruar. Ndërsa ajo që njerëzit e “PAMECA” kishin bërë mu duk skandaloze. U befasova nga faktet që prezantohen dhe nga mënyra se si e kishin përgatitur raportin e vitit 2007 për policinë shqiptare. E dija prej kohësh që nuk shprehnin të vërtetën për realitetin shqiptar, por që të arrinin në një tallje të përmasave të tilla, nuk e kisha menduar. Mbase e kanë kopjuar me idenë se duke e marrë aq larg, në Bangladesh, nuk do i shkonte mendja askujt. Se kopjimi mund të ishte bërë edhe më pranë, pasi situata dhe problematika të ngjashme me ato tonat ka edhe në Bosnjë apo Maqedoni. Ju vetë si e keni njohur misionin “PAMECA”?“PAMECA” ishte pasardhëse e misioneve të tjera evropiane të asistencës së policisë “MAPE” dhe “ECPA”. Detyra kryesore e saj ishte monitorimi dhe këshillimi i policisë shqiptare në implementimin e asaj reforme që nisi “MAPE” që në vitin 1997. Por problemi ishte se njerëzit e “MAPE”-s dhe të “PAMECA”-s, ndryshonin si nata me ditën. Ata të “MAPE”-s ishin oficerë të mirëfilltë, shumë aktivë dhe të zotë, kurse këta të “PAMECA”-s, mua më janë dukur si pensionistë dhe të paaftë. Në fakt, ky mision në fillim është drejtuar nga një spanjoll dhe quhej “PAMECA 1”. Kujtoj se në këtë kohë misioni u rreshtua në anën e kundërt të miratimit të strukturës së re të Policisë së Shtetit, pra u përplas për këtë me ish-ministrin Igli Toska. Por me të ikur spanjolli me stafin e vet dhe ardhjen e asaj që njihet si “PAMECA 2”, me në krye gjermanin Shmidt, edhe pse në kundërshtim me mendimin e paraardhësve, struktura e re u miratua. Pra “PAMECA” i tha “po” kësaj strukture dhe ky opinion i saj u trumbetua gjatë. Tashmë, pas tre vitesh, Shmidt na del në një intervistë, po në gazetën tuaj, dhe në thotë se “ajo strukturë duket ishte bërë enkas që policia të mos funksiononte”. Pra, pas tre vitesh, të njëjtët kanë tjetër qëndrim për të njëjtën çështje. Kështu kam nisur të njoh “PAMECA”-n e vërtetë.Cili ishte misioni kryesor i “PAMECA”-s?Mendoj se, pikërisht tek misioni i vërtetë i “PAMECA”-s duhen gjetur rrënjët e së keqes. Unë kujtoj një episod shumë domethënës. Në vitin 2004 kujtoj se një përfaqësues i Bashkimit Evropian që ishte përgjegjës edhe për menaxhimin e fondeve të këtyre projekteve policore u habit me kërkesat e fryra të “PAMECA”-s për kurse specializimi. U tha: S’është kjo detyra juaj. Ju kemi sjellë për tjetër gjë, për monitorimin dhe dhënien e këshillave për ecurinë e reformës për policinë. Pra, misioni kryesor i “PAMECA”-s nuk ishin trajnimet. Por këtu na dalin probleme, pasi njerëzit e “PAMECA”-s më shumë se me detyrime të tjera, janë marrë pikërisht me trajnimet. Dhe kjo ka një shpjegim, mbase sipas meje të hidhur.Që ju mund të na e thoni...Sipas ligjit, është Akademia e Policisë “Arben Zylyftari”, ajo që ka detyrimin dhe strukturat përkatëse për të përgatitur programet dhe zhvilluar kurset në vazhdimësi dhe sipas planifikimit të funksioneve të lira për gradat korresponduese. Pra, “PAMECA”, nuk kishte statusin për zhvillimin e këtyre kurseve dhe as mundësinë. Ajo ishte një mision monitorues dhe këshillimor, me një staf të vogël, pa përvojë akademike, me grada që nuk e justifikonin kualifikimin e punonjësve me grada të larta, madje ndonjë ishte dhe nënoficer. Gjithsesi “PAMECA” mori përsipër dy kurse, atë tre-mujor për lidershipin, si dhe një kurs tjetër për drejtuesit e lartë. Kursi u krijua dhe u zhvillua nga stafi i “PAMECA”-s, dhe instruktorët ajo i merrte nga të mundte, vetëm nga Akademia jo, në mënyrë të paligjshme, jashtë institucionit arsimor policor, i cili kishte detyrimin dhe të drejtën për ta zhvilluar. Madje Ky kurs i solli dëm policisë në aspektin e menaxhimit të personelit, pasi krijoi një numër të madh punonjësish policie të rolit të lartë, në një kohë që nuk kishte funksione të lira për këtë nivel gradimi, dhe në një kohë kur afati për implementimin e gradave ende nuk kishte përfunduar dhe kishte shumë të tjerë, të cilët e kishin marrë gradën që në momentin e inkuadrimit dhe prisnin të sistemoheshin në funksionin përkatës. Kështu duket qartë se qëllimi nuk ishte ndihma ndaj policisë. Qëllimi i PAMECA-s ishte të menaxhonte fondet e majme të këtyre kurseve, të cilat asnjëherë nuk u bënë transparente, por nga disa burime dimë se arrinin deri ne 1 milion euro për një kurs tre mujor me 30-35 kursantë, ndërsa për ministrin qëllimi ishte të stimulonte beniaminët e tij dhe pas kursit t’u jepte edhe gradat.Pra, ju mendoni se drejtuesit e “PAMECA” nuk e kanë pasur mendjen më shumë te ndihma për policinë shqiptare, por te përfitimi?Po, por dëmi është më i madh se kaq. Pasi krerët e “PAMECA”, jo vetëm që nuk e kanë ndihmuar, por duke mbajtur anën e politikës aktuale me policinë, i ka bërë asaj gropën. Flas duke pasur parasysh edhe buxhetin e konsiderueshëm të saj prej rreth 19 milionë euro në tre vite. Pra unë ngre një pyetje: Çfarë veprimtarish konkrete janë kryer nga “PAMECA”? Çfarë impakti kanë pasur ato në strukturat dhe personelin e policisë? Dhe unë mendoj se pikërisht roli i gabuar i “PAMECA”-s është një nga shkaktarët që policia shqiptare po kthehet 7 vjet pas, në vitin 1999, me një ligj të ri që nuk ka hyrë plotësisht në zbatim, me gradat ekzistuese që nuk kanë më vlerë dhe gradat e reja që pritet të vihen por s’dihet se kur, me një strukturë dhe personel të hallakatur për shkak të shkurtimeve, reformës politike, strukturës së re, gradave të reja, me një arsim policor që nuk di se çfarë po bën dhe ku do të shkojë. Në këtë pikë unë mendoj, se “PAMECA”, dështoi në misionin e saj për të ndihmuar policinë shqiptare.Pse mendoni se “PAMECA” i ka mbajtur anën politikës aktuale?Më saktë do të ishte “PAMECA është bërë ombrellë e të gjitha reformave të fundit të kontestuara të policisë”. Pasi “PAMECA” nuk e ka ngritur kurrë zërin për largimin e specialistëve madje krejt ajkës së policisë nga puna. Dihet vetëm një rast kur ka mundur të kthejë vetëm 3 vetë në punë, por me kaq a është zgjidhur problemi? Madje zoti Shmidt na thotë se largimet politike nga puna e punonjësve të policisë janë thashetheme se në Shqipëri bëhen shumë thashetheme. A ka cinizëm më të madh që u bëhet punonjësve të policisë të liruar, nga një punonjës policie, i një vendi të huaj që vjen të ndihmojë policinë shqiptare? Zotëri, nga policia nuk janë larguar vetëm disa që të kanë ardhur ty në zyrë e të janë qarë, të cilët, ndoshta vërtet mund të kenë rifilluar punë. Por janë larguar rreth 2500 punonjës policie të roleve të ndryshme nga të cilët, rreth 600 janë specialistë të lartë policie, mbi tridhjetë prej tyre kanë gradën kryekomisar dhe një pjesë kanë dhe grada shkencore. Pjesa më e madhe e tyre janë trajnuar nga “MAPE”, “ICITAP”, në SHBA, në Itali, Francë, Gjermani, Hungari, nga Akademia e Policisë “Arben Zylyftari” e shumë trajnime të tjera nga institucione dhe organizma joqeveritare. Në mes tyre ka punonjës policie që janë dekoruar, janë plagosur nëpër operacione, dhe shumica e tyre janë ata që kanë ngritur dhe mbrojtur institucionet shtetërore gjatë viteve 1997-2005. Dhe këta punonjës nuk u larguan për shkak të shkurtimeve në Policinë e Shtetit, por për shkak të hakmarrjes së forcës politike që është në pushtet. Forcë politike së cilës “PAMECA”, i shërbeu me devotshmëri. ‘PAMECA’ kopjoi raportin për BangladeshinNë numrin e djeshëm gazeta “Panorama” publikoi një zbulim sipas të cilit misioni “PAMECA” kishte kopjuar një raport për policinë e Bangladeshit të vitit 2006 për të hartuar raportin e vitit 2007 për Shqipërinë. Raporti ishte kopjuar në rreth 70 për qind të materialit me anë në metodës copy-paste. Për të dhënë një mesazh sa më bindës gazeta përktheu në shqip dhe publikoi pjesët e kopjuara dhe ngjashmërinë mes dy raporteve. Interesant ishte fakti, se veç pjesëve kur duhej të flitej për kontekstin shqiptar, pjesëve të kopjuara nga raporti për policinë e Bangladeshit nuk u ishte ndryshuar asnjë presje. Gazeta theksoi se një veprim i tillë i krerëve të misionit “PAMECA”, një mision policor evropian që është paguar me fatura të fryra pikërisht për të hartuar këtë raport, është shumë zhgënjyes, madje tallës sidomos me Shqipërinë dhe shqiptarët.