KLD: Kontroll kryetarëve të gjykatave
• Kontrolli i kryetarëve të Gjykatave të Faktit dhe Apelit në të gjithë vendin do të jetë pikënisja e punës së inspektoratit të KLD-së.Fatos Mahmutaj Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të KLD-së. Sipas tyre, në mbledhje është vendosur të kryhet një kontroll për drejtuesit e gjykatave. Inspektimi do të ketë për qëllim vlerësimin e punës së bërë nga drejtuesit e gjykatave të Faktit dhe Apelit me qëllim evidentimin e rasteve dhe marrjen e masave konkrete për shmangien e apatisë apo rënies së efiçencës në drejtimin e gjykatave. Pasi vendosi të realizojë kontrollin, KLD urdhëroi, ngritjen e një grupi pune për përcaktimin e tematikës dhe të afateve të kontrollit, si dhe vendosjen e kufizimit në kohë të mandateve të kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve të cilat do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës. Kontrollet Veç kontrollit të etikës apo formaliteteve të tjera gjyqtarët shqiptarë do të kontrollohen nga inspektorati për çdo ankesë për korrupsion që do mbërrijë në adresë të tyre. Kreshnik Spahiu, nënkryetari i KLD-së pohoi, dje gjatë një konference për shtyp, se inspektorati do të vlerësonte çdo ankesë që mbërrinte nga qytetarët për korrupsion në gjyqësor duke ushtruar kontrolle. Spahiu e pohoi këtë pak minuta, pasi Këshilli kishte vendosur të pranonte në krye të inspektoratit gjyqtaren magjistrate nga Shkodra, Valbona Vata. Në të njëjtën pjesë të mbledhjes ishte vendosur, që me propozim të Spahiut të caktoheshin inspektorë Qemal Zaimi, Elda Vrioni, Lazër Sallaku dhe Hysen Saliko, kandidatura këto që vijnë nga një karrierë e spikatur në gjyqësor.Vendimi Në mbledhjen e djeshme KLD-ja trajtoi edhe problemin e shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të së drejtës së KLD-së për të transferuar në gjykata rrethesh, të së njëjtit nivel gjyqtarët kryeqytetas që u vërtetohen shkeljet. Burime nga KLD, pohuan se gjatë diskutimeve anëtarët e Këshillit dolën në konkluzionin, se ishte e nevojshme për të reflektuar në procedimet disiplinore aktuale dhe ato të pritshme në vendimin e Kushtetueses. Kjo bëhej me qëllimin, që të evitohen, apo të mos krijohen në të ardhmen hapësira për bllokim të procesit të disiplinimit si dhe respektimit të frymës së orientuar në vendimet e Kushtetueses.Ndërkohë, ditën e djeshme KLD-ja mori në shqyrtim verifikimin e mandateve të tre anëtarëve të rinj të Këshillit: Guxim Zenelaj, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 13 korrik të vitit të kaluar, i cili zëvendësoi në këtë post paraardhësen Pranvera Strakosha dhe dy gjyqtarët e Apelit, Shkëlqim Miri dhe Dhurata Haveri, të zgjedhur nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore 10 ditë më parë.Mbrojtja e dëshmitarëve KLD vendosi dje të caktojë si përfaqësues në Komisionin e Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, gjyqtarin e Apelit Durrës, Bashkim Dedja dhe si përfaqësues alternativ, kryegjyqtarin e Elbasanit, Bujar Musta. Këta pritet të fillojnë punë në këtë komision në ditët në vazhdim, krahas detyrës së gjyqtarit. Kryetarët KLD trajtoi në mbledhjen e djeshme çështjen e plotësimit të vendeve vakante për kryetar të Gjykatave të Faktit në Pukë e Tropojë, si dhe në Gjykatat e Apelit Durrës dhe Shkodër. Në përfundim të mbledhjes KLD vendosi të shpallë konkurrimin për kryetar në këto institucione.Dorëheqja Këshilli i Lartë i Drejtësisë, miratoi dje kërkesën për dorëheqje nga detyra të gjyqtares Marsida Xhafellari, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, për t’u angazhuar në strukturat e Ministrisë së Drejtësisë. Kjo e kishte paraqitur këtë kërkesë pak kohëmë parë.