Durrës, gjendet i vdekur me overdozë heroine 22-vjeçari
• DURRES - Trupi i një 22-vjeçari durrsak është gjetur i pajetë pasditen e kaluar.Burime policore saktësuan se viktima Olsi Shabani u gjet i vdekur nga disa kalimtarë të rastit, pas marrjes së një overdoze me heroinë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Stan” të Durrësit, vetëm pak metra larg shtëpisë së Olsi Shabanit. Fillimisht policia dyshoi se mos bëhej fjalë për ndonjë viktimë të shkaktuar nga temperaturat e ulëta, por gjetja e katër shiringave me aget e gjakosura në krah të të riut Shabani konfirmon vdekjen nga overdoza. Për policinë e Durrësit si dhe për lagjen “Stan”, 22-vjeçari njihej si përdorues droge, por mbi të nuk rëndonte asnjë precedent penal, pasi asnjëherë nuk kishte kryer krimin e shpërndarjes. Deri tani ekzistojnë dy pista lidhur me këtë vdekje. E para mendohet të jetë vetëvrasje e vullnetshme e të riut të droguar, i cili për të arritur deri këtu kishte injektuar në venë katër doza vdekjeprurëse, e cila qe ndarë në katër shiringa. Ndërsa pista e dytë sipas policisë, mbetet ajo e një vdekje nga mbidoza, por që të jetë shkaktuar nga dëshira e të riut për të rritur efektin haluçinogjen të drogës së rëndë. Sipas banorëve, i riu kishte degraduar pasi prej të paktën dy vitesh kishte filluar përdorimin e drogave të rënda të llojit heroinë. Ai ishte i sjellshëm me të gjithë, ndonëse shpeshherë nën efektet e narkotikëve të fortë shfaqte shenja depresioni. Disa herë familja kishte tentuar dezintoksikimin te mjekët specialistë, por varësia e të riut të papunë nga droga ishte bërë e pandreqshme. Kështu ndodhi deri në ditën më të ftohtë të dhjetorit, kur 22-vjeçari Olsi Shabani në një lulishte të braktisur të Muzeut të Dëshmorëve i injektoi vetes katër doza vdekjeprurëse me heroinë. Policia Shkencore tashmë ka sekuestruar katër shiringat, në aget e të cilave ndodhej ende gjaku i freskët i të riut. Sipas bluve, në brendësi të shiringave dalloheshin qartë gjurmë të kuqërremta, çka konfirmon se viktima përdorte heroinë të pisët, narkotik ky që në “tregun” durrsak shitet me 2 000 lekë të reja doza. o.u