E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë, ekzekutohet me nëntë plumba emigranti

 
Braho Poçe nga Cërriku është ekzekutuar në sheshin "Viktoria" në Athinë. Atentatorët ishin të maskuar
 
ATHINË-Ekzekutohet në Athinë një emigrant46-vjeçar nga Shqipëria. Braho Poçe nga Cërriku ka mbetur i vdekur pasditen e djeshme, si pasojë e një atentati në sheshin "Viktoria" të Athinës. Sipas policisë greke, shqiptarit i kanë zënë pritë disa persona të maskuar, të cilët e kanë qëlluar 9 herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend.Policia greke ka mbërritur në vendngjarje, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, autorët e këtij krimi nuk ishin identifikuar. Sipas dëshmive të mbledhura në sheshin "Viktoria", ku edhe ndodhi ekzekutimi mësohet se emigranti shqiptar është qëlluar teksa po ecte në rrugë. Gjithçka ka ndodhur në pak minuta, megjithëse 9 plumbat e pistoletës kanë alarmuar kalimtarët që ndodheshin në atë moment pranë vendit të atentatit. "Autorët e krimit, të cilët nuk dihet se kush janë për shkak të maskave që mbanin në kokë, janë larguar me një motor nga vendi i ngjarjes, pasi janë siguruar se 46-vjeçari kishte vdekur",-bënë me dije burime nga policia greke.
***
Policia greke ka pohuar se po punon në shumë pista për zbardhjen e krimit, ndërkohë që grupi hetimor e ka filluar nga verifikimi i të kaluarës së Braho Poçes dhe njohjeve të tij në Athinë. Megjithatë, nga hetimet e para të kryera në vendngjarje, policia greke ka kuptuar se vrasja ishte e paramenduar. Autorët e krimit janë maskuar dhe kanë zënë pritë në vendin ku mendohet se kalonte emigranti shqiptar. Më pas, ato e kanë qëlluar Poçen me 9 plumba, duke lënë të kuptohet se qëllimi i tyre final ishte ekzekutimi. Policia greke ka nisur kontrollet, kryesisht në zonat përreth sheshit "Viktoria" në Athinë, ku ndodhi edhe krimit, por nuk është bërë publik ndonjë rezultat i aksioneve për kapjen e autorëve. Në një kohë kur nuk dihet e kaluara dhe problemet që viktima mund të ketë pasur, policia greke pritet të mësojë më shumë për ekzekutimin e ndodhur në Athinë, vetëm pas disa ditësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›