E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Municionet e tepërta, dhuratë Irakut e Afganistanit

 
Ministri i Mbrojtjes i ka kërkuar SHBA-së dhe vendeve të tjera të NATO-s, që municionin e tepërt t'ia dhurojë Irakut dhe Afganistanit
 
Shqipëria kërkon t'i dhurojë Irakut dhe Afganistanit tepritë e veta të armatimeve, duke i ndihmuar këto shtete në ndërtimin e ushtrive të tyre. Kështu pohoi dje ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai shtoi se i ka kërkuar Uashingtonit dhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s, të marrin në konsideratë ofertën e Shqipërisë. Ushtria e Shqipërisë ka shkatërruar deri tani 46 mijë ton municione dhe është në vazhdim të procesit për të kthyer në skrap armatimet e tepërta. "Qeveria shqiptare është gati të japë si ndihmë, municionet që ka tepër, të cilat mund të përdoren në vende të tilla, si Iraku apo Afganistani, shtete këto që po përpiqen të ndërtojnë Forcat e tyre të Armatosura, për paqen dhe stabilitetin",-ka shtuar më tej ministri Mediu. Megjithëse një pjesë e mirë e armatimeve janë vjedhur gjatë trazirave të vitit 1997, Shqipëria vazhdon të ketë me tepri municione.
***
Për të festuar shkatërrimin e stokut të municioneve të tepërta të Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes ka organizuar një ceremoni, ku ishte i ftuar dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon L.Uidhers. Në fjalën e tij, ambasadori Amerikan përgëzoi Forcat e Armatosura Shqiptare për përfundimin me sukses të projektit, i cili çon në një Shqipëri më të sigurt. "Shkatërrimi i këtyre armëve, eliminoi një burim të mundshëm materialesh, që mund të përdoreshin nga terroristët apo t'iu shiteshin në mënyrë të jashtëligjshme sponsorizuesve shtetërorë të terrorit dhe shteteve të tjera shqetësuese",- është shprehur Uidhers. Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, shumica e këtyre armëve ishin magazinuar në një duzinë repartesh anembanë Shqipërisë, shumë prej të cilave pranë shtëpive dhe shkollave, ato paraqisnin edhe një kërcënim serioz ndaj sigurisë publike.
***
"Projekti pati sukses në shkatërrimin e afro 40,000 municioneve, përfshi siguresa, detonatorë, mina detare, bomba ajrore dhe trupa torpedosh, totali i të cilave arrinte mbi 2,700 ton",- thanë burimet nga Ministria e Mbrojtjes. E gjithë përpjekja, sipas tyre, u krye në mënyrë të sigurt dhe eficiente. Ekipe të Shkatërrimit të Municioneve Shpërthyese (ShMSh) të Forcave të Armatosura të Shqipërisë eliminuan municione në reparte dhe instalime ushtarake, miratuar nga Ministria e Mbrojtjes. Ndërkohë bëhet e ditur se SHBA ka financuar trajnimin e ekipeve shqiptare. "Municionet u shkatërruan duke përdorur procedura të miratuara nga Ministria e Mbrojtjes, në reparte të përcaktuara ushtarake. SHBA dhe Shqipëria punuan ngushtë, së bashku, për të siguruar që shkatërrimi do të ndodhte në një mënyrë të përgjegjshme nga pikëpamja ekologjike",- thanë burimet nga Ministria e Mbrojtjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›