E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selitë, konflikt për muret rrethuese të vilave

 
Banorët kanë kundërshtuar aksionin për prishjen e mureve rrethuese, për projektin e rrugës
 
TIRANË- Banorët e Selitës kanë bllokuar dje një aksion të Policisë Bashkiake, duke kundërshtuar prishjen e mureve rrethuese. Pasditen e djeshme, forcat e policisë bashkiake dhe ato të inspektoriatit të ndërtimin kanë shkuar për të zbatuar një vendim për prishjen e mureve të ndërtuara për rrethimin e shtëpive, por kanë hasur në kundërshtimin e banorëve. Këta të fundit, duke pretenduar se ndërtimet i kanë bërë me leje kanë kërkuar më së pari të shpronësohen, e më pas të lejojnë ndërtimin e rrugës. Pak kohë më parë, Inspektoriati i Ndërtimit u ka bërë thirrje banorëve të heqin muret, pasi aty do të ndërtohet një rrugë rreth 11 metra e gjerë. Banorët e Selitës, të prekur nga ky projekt, jo vetëm që nuk janë bindur, por kanë kundërshtuar dje aksionin e Policisë Bashkiake. "Ne kërkojmë më parë të bëhet shpronësimi, e më pas të prishen muret",-kanë pohuar banorët, ndërsa pretendojnë se ndërtimi është bërë në përputhje me ligjet. Sipas Inspektoriatit të Ndërtimit, banorët i kanë ndërtuar këto mure rrethuese pa leje, ndaj edhe nuk duhet të pengojnë projektin e ndërtimit të rrugës. Tashmë priten hapat e tjera që do të ndërmerren, për të zgjidhur këtë konflikt mes banorëve dhe Inspektoriatit të Ndërtimit, për t'i hapur më pas dritën jeshile ndërtimit të rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›