Rishfaqen rrëshqitjet, 50 familje në rrezik
Banorët e fshatit Guri i Zi, në Elbasan jetojnë me frikën e shembjes së shtëpive. Vendorët: Listat, në ministri
Banorët: Bëjmë roje natën se mos mbetemi brenda shtëpive. Studimi gjeologjik: Zona, e pabanueshme
ELBASAN-Dimri ka sjellë sërish rrëshqitje dherash në fshatin Gur i Zi të rrethit të Elbasanit. Rreth 50 familje janë vënë në vështirësi për shkak të rrëshqitjes së vazhdueshme dhe krisjeve të shtëpive, që nga dita në ditë rrezikohen të shemben. Mungesa e të ardhurave i detyron të jetojnë me frikën e shembjes së banesave, duke pritur që shteti të bëjë diçka për ta. Një pritje, që si thonë edhe vetë banorët e zonës, mund t'u kushtojë me jetë. Vetë kryeplaku i fshatit, Osman Hazizi thotë se problemin e kanë bërë të njohur gjithandej, por ndihma e vetme ka qenë një fond ofendues nga ana e qeverisë, prej 2 milionë lekësh të reja, tërësisht i pamjaftueshëm. "Nëse nuk ndërhyhet në kohë, zor se e shtyjmë këtë dimër"- thotë ai.
Problemi
Situata është shumë e rrezikshme. Mjaft ta shohësh me sy dhe mund të kuptosh panikun e familjarëve që gdhijnë ditët në këto shtëpi, ku nuk janë të sigurt as vetë e as fëmijët. "Natën dhe sidomos kur bie shi, pjesëtarët e familjeve bëjnë roje për të mos qenë të papërgatitur në raste të një shembje të mundshme të shtëpisë". Këtë fjali e përsërisin të gjithë ata që takon këtyre anëve. Një ritual që u është bërë i domosdoshëm dhe nuk mund ta neglizhojnë. Disa në roje, që të tjerët brenda ta bëjnë gjumin, paksa të qetë. Fëmijët janë gjithashtu në dijeni të historisë, që ka nisur këtu e 4 vite më parë, por nuk ka gjetur ende zgjidhje.
Takimi
Xhevair Kapllani, përfaqësues i pushtetit vendor dhe deputeti i zonës kanë qenë pranë këtyre familjeje për të parë në vend situatën. Në takimin e zhvilluar me banorët ata kanë grumbulluar nëpërmjet një peticioni emrat e familjeve të dëmtuara pjesërisht dhe që rrezikojnë të humbin shtëpitë. "Emrat, fotot, filmimet e gjendjes ku jetojnë rreth 50 familje në fshatin Guri i Zi do t'i dërgohen Ministrisë së Brendshme dhe sektorit të Emergjencave për të marrë masa përpara se të jetë vonë"- tha Kapllani, duke e cilësuar situatën me të vërtetë kritike dhe që ka nevojë për ndërhyrje urgjente, pasi bëhet fjalë për jetën e këtyre banorëve.
Protestat
Pjesëtarët e këtyre familjeve kanë lajmëruar se shumë shpejt do të nisin nga protestat duke zbritur deri para prefekturës së Elbasanit, deri në gjetjen e një sistemimi për ta. "Në kushte të tilla ne nuk mund të jetojmë më. Jemi me frikë se mos shemben shtëpitë e na zënë brenda të gjithëve"- thonë banorët, duke deklaruar se e kanë humbur durimin. Rrëshqitjet në Gurin e Zi kanë rreth 4 vjet që janë shfaqur dhe 2 vjet më parë ka pasur edhe një studim gjeologjik për zonës. Në përfundim të studimit, ka rezultuar se territori ku banojnë 50 familjet është i pabanueshëm. Por megjithë këtë,për shkak të mungesës së fondeve asgjë nuk është bërë për shpërnguljen e tyre nga kjo zonë.
Banorët:
Të ardhurat e vetme janë bagëtitë
Dimri i fundit e ka kthyer në shqetësim për mbijetesë qëndrimin në këtë territor që ka regjistruar rrëshqitje të vazhdueshme. Problemi i sigurimit të jetesës dhe rritjes së fëmijëve nuk është i vetmi për banorët e zonës. Ata janë shumë të varfër dhe këtë nuk ka nevojë të ta thonë me fjalë. Por, prej kohësh tashmë kanë të tjera halle. Strehën ku do të futin kokën. Banorët thonë se ata nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër. "Të ardhurat e vetme janë ato që sigurojmë nga bagëtitë dhe me ato ushqehemi vetë dhe fëmijët"- ankohen ata. E njëjta situatë është regjistruar 3 vjet më parë në Cërujë nga ku u larguan rreth 20 familje dhe po kështu në fshatin Godolesh.
Kryeplaku
"Qeveria na dha vetëm 2 milionë lekë"
Kryeplaku i fshatit, Osman Hazizi shprehet se me problemin e banorëve janë njohur të gjitha instancat e pushtetit dhe qeveria, por deri tani në adresë të këtyre familjeve janë dërguar disa thërrime. "Të fyer nga logjika qeveritare, banorët i refuzuan paratë dhe kërkuan që të gjendet një sistemim i pranueshëm për të gjitha familjet"- thotë ai.Sipas tij, me 2 milion lekë të reja të akorduara nga qeveria nuk mund të sistemohet as një familjeje. "Ne nuk kemi mundësi financiare të ndihmojmë vëllezërit tanë, sepse jemi një zonë shumë e varfër. Banorët kanë nevojë për ndihmë emergjente dhe duhen shpërngulur prej andej, ndryshe nuk mund ta kalojnë këtë dimër dhe mund të ketë edhe fatkeqësi. Për shkak të rrëshqitjeve të tokës, banorët nuk kanë as ujë dhe as drithëra, që të mbijetojnë"- përfundon ai.