Kashar, ish-shefi i Kadastrës fiton statusin e të penduarit
Denoncuesi i kryekomunarëve, Bardhyl Kamberi, është person nën hetim, por do të përfitojë nga marrëveshja
TIRANË- Prokuroria e Tiranës merr nën hetim në gjendje të lirë ish-shefin e Kadastrës së Kasharit, Bardhyl Kamberi, edhe pse dëshmia e tij ka dërguar prapa hekurave tre ish-kryekomunarët dhe disa zyrtarë të tjerë për abuzimet me tokat. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmuan lajmin, duke shtuar se: "gjithçka ka filluar në vitin 2001, kur Bardhyl Kamberi ka qenë shef kadastre në komunën e Kasharit, ku dhe kanë filluar abuzimet, për të vazhduar për gati 7 vjet e njëjta strategji vjedhje pronash". Mësohet se në vitin 2001, Bardhyl Kamberi është pushuar nga puna nga kryetari i asaj kohe i komunës së Kasharit, Naim Karaj dhe dy vjet më pas, në vitin 2003 është rikthyer në punë, pas zgjedhjeve lokale që sollën në krye të komunës, Faik Fejzon. Me rikthimin e tij në detyrë, Kamberi, me kërkesë të Faik Fejzos ka vazhduar falsifikimin dhe kalimin e pronës nga pronarët e vërtetë, në persona që nuk kishin lidhje me komunën. Gjithashtu, edhe vetë të arrestuarit: Naim Karaj, Faik Fejzo, Alfred Sulaj, Shefqet Aliko, Xhevair Hyka dhe Ismail Sulaj e kanë akuzuar Kamberin si zbatuesin e mashtrimit me pronat. "Falë bashkëpunimit që ka treguar shtetasi Bardhyl Kamberi në dëshminë e tij përballë prokurorisë, do të përfitojë nga statusi i marrëveshjes me akuzën, duke përfituar edhe lehtësim në procedimin e tij gjatë fazës së gjykimit". Sipas akuzës, të pandehurit në kohë të ndryshme dhe në bashkëpunim me njëri- tjetrin, duke përfituar nga ligji 7501 kanë shpërndarë tokat në mënyrë korruptive, duke falsifikuar aktet e pronësisë, dokumentet e tokës, hartën dhe më pas e kanë shitur atë tek një person i tretë, duke i ndarë fitimet mes tyre. Deri më tani është verifikuar se në komunën e Kasharit është abuzuar me rreth 18 hektarë tokë, që kapin një vlerë prej gati 20 milionë eurosh.