Vdes pas lindjes emigrantja, fajtorë mjekët grekë
Një emigrante 29-vjeçare humbi jetën pak ditë më parë në Greqi, vetëm pak minuta pasi lindi dy binjakë. Fati tragjik i nënës së re erdhi nga pakujdesia e mjekëve të spitalit të ishullit të Samosit. Akuzat u hodhën nga bashkëshorti i viktimës Antoneta Isaraj 29-vjeçe, i cili tregoi se përgjegjësia bie mbi mjekët. Menjëherë pas akuzave nisën dhe hetimet për të zbuluar shkakun e vdekjes së 29-vjeçares. Hetimet e para në lidhje me vdekjen e Antoneta Isaraj treguan se ajo ka marrë mjekime të gabuara dhe mjekët kanë neglizhuar krejtësisht me rastin e saj. Prokuroria lokale i kërkoi spitalit të Athinës që të kryejë ekspertizën për të gjetur shkakun e vdekjes së nënës së katër fëmijëve dhe raporti paraprak mjekësor, i hartuar nga spitali i Athinës, fajëson pikërisht bluzat e bardha të Samosit. Raporti citon se mjeku përgjegjës i spitalit të Samosit dhe grupi i infermierëve të këtij spitali konsiderohen fajtorë për vdekjen e gruas shqiptare. Sipas raportit, mjeku në fjalë nuk është treguar i kujdesshëm për pacienten duke lënë një venë të hapur në operacionin e parë. Edhe në ndërhyrjen e dytë, mjeku përgjegjës që u zotua se do t'i hiqte pacientes mitrën, serish nuk ka bërë ndërhyrje të saktë dhe si rezultat i kësaj ka ardhur vdekja e pacientes.