E Diel, 1 Nëntor 2026

Athinë, grevistët përleshen me policinë



Një protestë e madhe “paqësore” e paralajmëruar edhe javën e kaluar nga sindikatat greke kundër masave të ashpra të Qeverisë, e shndërroi Athinën në shesh beteje mes protestuesve dhe policisë. Mijëra njerëz merrnin pjesë në protestën e nisur në mënyrë paqësore, derisa rreth 200 të rinj nisën të hidhnin gurë e shkopinj drejt policisë. Autoritetet greke kishin vendosur dje në Athinë rreth 1500 policë për të ruajtur rendin. Megjithatë ata nuk mundën të evitonin përleshjet e dhunshme. Përleshjet nisën përpara Parlamentit grek dhe më pas para Universitetit të Athinës. Dhjetëra nga protestuesit mbanin në fytyrë maska dhe hidhnin parulla kundër politikave të Qeverisë. Pasi ata sulmuan një skuadër policore para Parlamentit grek, policia vendosi të përdorë gazin lotsjellës për t’i shpërndarë. Kundër policëve u hodhën edhe molotovë dhe bomba artizanale. Gjatë protestave u arrestuan dhjetëra vetë. Autoritetet në Athinë kanë pranuar se masat e ashpra do të rëndojnë në jetën e qytetarëve grekë, por sipas tyre, kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin. Greva kombëtare do të paralizojë Greqinë për 24 orë. Shkollat, spitalet dhe në përgjithësi shërbimet publike, aeroportet dhe sistemi i transportit tokësor e detar nuk funksionojnë. Protestat janë drejtuar kundër masave ekonomike të marra nga Qeveria Papandreu dhe të miratuara të premten e kaluar në Parlamentin grek, të cilat kanë synim të reduktojnë deficitin buxhetor nga 12,7 për qind në 8,7 për qind deri në vitin 2012. Sipas sindikatave plani i Qeverisë, që ka të bëjë me ulje pagash, ngrirje pensionesh dhe rritje taksash, do të kërcënojë seriozisht buxhetin e çdo familjeje greke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›